Dosje

Video / Vrasja e shqiptarit dhe vala e krimit në Ekuador, ushtria zbret në Guajakili

Nga Erion Abule - Pasiguria që përndjek Guajakilin, detyroi autoritetet kombëtare dhe lokale të mblidhen për të vendosur mbi masat që duhen marrë përballë valës së vrasjeve, grabitjeve dhe krimeve të tjera që kanë ndodhur në këtë qytet orët e fundit.

Vrasja e fundit në këtë qytet ishte të shtunën më 22 janar, kur në një atentat mafioz u ekzekutua shqiptari me origjinë nga Durrësi, Ergys Dashi 34 vjeç.

Ky i fundit ka qenë duke darkuar në një restorant, kur atentatori hyri brenda duke mbajtur në duar një buqetë me lule dhe u nis drejt tavolinës së shqiptarit.

Ai qëlloi direkt me armë mbi Dashin, duke e lënë të vdekur në vend, ku i riu shqiptar kishte marrë disa plagë plumbi në kokë. Ndërsa 3 ditë para ekzekutimit të shqiptarit, në Guajakili ishte vrarë një turist holandez në një bar-restorant.

Menjëherë, Presidenti i Ekuadorit, Guillermo Lasso, kryebashkiakja e Guajakilit Cynthia Viteri, Ministrja e Qeverisë, Alexandra Vela dhe autoritete të tjera, u takuan pasditen e djeshme në godinën e qeverisë së Guajas.

Pas këtij takimi, Lasso e lidhi valën e krimit që po ndodh në rrugë me një mosmarrëveshje për territoret dhe larjen e hesapeve të bandave që kanë humbur kontrollin e trafikut të drogës.

Presidenti u shpreh se arritjet në kapjen e drogës kanë zvogëluar territoret e mafies. Ai tregoi se në vitin 2021, janë sekuestruar 210 tonë drogë dhe në tre javët e 2022-it, janë sekuestruar 15 tonë kokainë, trefishi i janarit 2021.

Gjithashtu, trafiku i drogës përmes portit është reduktuar në këto javë për shkak të instalimit të qendrës kundër narkotikëve.

“Të gjitha këto arritje kanë reduktuar territorin e mafiozëve, ku vepronin pa praninë e shtetit, por këto veprime kanë pasoja, si shtimi i vdekjeve të dhunshme në rrugë, siç ka ndodhur në janar, ku larja e hesapeve është efekti i këtyre konfiskimeve që sjellin humbje për grupet mafioze”, arsyetoi ai.

Ai ka vendosur që zëvendësministri i Brendshëm, Max Campos, të zhvendoset në Guajakil, në Kazermën Model, për të qenë qendra e operacioneve dhe të drejtojë sigurinë e qytetarëve të të gjithë vendit nga ky qytet.

Ai do të koordinojë praninë e 1,100 oficerëve të policisë shtesë për ata që janë në Guajakili. Dje pasdite, në sektorët e Guajakilit jugor, grupe ushtarake u vendosën në rrugët dhe kryqëzimet e qytetit-port.

Forcat e Armatosura do të përforcojnë gjithashtu kontrollet kufitare. “Forcat e Armatosura do të forcojnë më tej kontrollin në të gjithë kordonin kufitar për të parandaluar trafikun e drogës nga veriu dhe armëve nga jugu”, tha ai. Gjithashtu, presidenti deklaroi se 9 milionë dollarë do të përdoren për pajisjet e Policisë; makina, motoçikleta dhe armë.

Në 3 javët e para të vitit 2022, në Ekuador janë regjistruar 197 vrasje, 159% më shumë se në të njëjtën periudhë të një vitit më parë. Shumica e vrasjeve mafioze janë në qytetin Guajakili, aty ku është përqëndruar më së shumti edhe trafiku i kokainës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë