Futboll

Video/ Vjen shuplaka e parë për Ksavin, Barcelona humb në shtëpi me Betisin

Në ndeshjen e katërt si trajner i Barcelonës, Ksavi Hernandez ka pësuar humbjen e parë. Një humbje e rëndë në “Camp Nou”, 0-1 kundër Betisit, që duket se këtë sezon ka formatin e një ekipi të Ligës së Kampionëve. Aktualisht Betisi mban vendin e tretë në La Liga.

Barcelona kishte mundësi të shënonte me Koutinjon, pas një krosi të Zhordi Albës, që luajti ndeshjen numër 400 me katalansit. Ksavi humbi Gavin pas 36 minutash për shkak të një dëmtimi, që e detyroi të dilte nga fusha me barelë.

Në pjesën e dytë, Juanmi shënoi për Betisin, por goli u anulua për një pozicion të lehtë jashtë loje. Trajneri i Barcelonës hdohi në fushë edhe Dembelenë dhe de Jong, por 11 minuta para fundit u ndëshkua nga një kundërsulm perfekt i Telos, i finalizuar nga Juanmi.

Barcelona tentoi të reagonte dhe iu afrua golit me Ezalzouli, që shpërdoroi një kros të Dembele. Pas kësaj fitoreje, Betisi shkëputet 7 pikë nga Barcelona e Ksavit, që sot ka provuar shijen e hidhur të humbjes. Katalanasit shkojnë kështu në mënyrën më të keqe në sfidën vendimtare të Championsit kundër Bajernit të Mynihut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë