Futboll

VIDEO/ VAR-i tërbon Mançester Sitin, Guardiola zihet me Aguerron

Ndeshja kryesore e javës së dytë në Premier League mes Mançester Sitit dhe Totenhemit pati gjithçka brenda saj: 4 gola, spektakël, VAR dhe…sherr. Sterling shënoi golin e parë, por shumë shpejt u përgjigj Lamela, Aguerro kaloi sërish Mançester Sitin në avantazh, ndërsa Lukas Moura barazoi shifrat në 2-2. Në fundin e ndeshjes, në kohën shtesë, “qytetarëve” iu anulua goli i fitores nga VAR-i, që po i bëhet makth skuadrës së Guardiolës, ashtu si në Champions League pak muaj më parë. Goli i Gabriel Jesus u anulua për një prekje të topit më dorë nga mbrojtësi Laporte, para se braziliani të shënonte. Me atë që u pa në fushë, Mançester Siti meritonte fitoren, pasi luajti më mirë se Totenhemi, që pati shumë fat.

https://youtu.be/eSxwP1Dqr84?t=4
Episodet më të rëndësishme të ndeshjes Mançester Siti-Totenhem, 2-2. Gazeta Si, 18 gusht 2019

Ishte ndalesa e parë për Mançester Sitin, që ka 4 pikë pas 2 javësh. Gjatë ndeshjes pati edhe nervozizëm. Në momentin e zëvendësimit, sulmuesi argjentinas Serxhio Aguerro reagoi ndaj trajnerit Guardiola dhe të dy patën një zënkë për disa momente. Një episod që sigurisht nuk u shpëtoi telekamerave dhe aparateve të fotografëve. Trajneri spanjoll u përpoq ta zbuste lojtarin, duke bërë paqe në momentin final, por se sa e ka pranuar atë futbollisti argjentinas, nuk është ende e qartë. Mançester Siti ka një organikë shumë të pasur lojtarësh dhe për trajnerin Guardiola është e vështirë ta menaxhojë.

Guardiola debaton me Aguerron pas zëvendësimit. Gazeta Si, 18 gusht 2019

Në krye të klasifikimit në Premier League janë Liverpuli dhe Arsenali, të dy me nga dy fitore. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop fitoi të shtunën në fushën e Southemptonit, 1-2, me gola të Manè dhe Firmino, ndërsa Ings shkurtoi diferencën për vendësit. Arsenali fitoi 2-1 në shtëpi ndaj Bërnleit. Sulmuesit Lakazet dhe Aubamejang realizuan për “Topçinjtë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë