Myrto Uzuni është pa dyshim lojtari më në formë i Kombëtares në këtë moment. Sulmuesi beratas i Ferencvaroshit ka realizuar edhe sot në fitoren 0-4 ndaj Ujpeshtit dhe ky ishte goli i katërt radhazi për të.
Uzuni shënoi golin e tretë të ndeshjes nga fare afër portës kundërshtare. Skuadra e tij kryeson bindshëm kampionatin hungarez, me 46 pikë, 13 pikë e shkëputur nga vendi i dytë. Futbollisti i Kombëtares është një nga protagonistët kryesorë të skuadrës që drejtohet nga Sergei Rebrov dhe këtë e vërtetojnë golat që ka shënuar dhe loja plot grintë e 25-vjeçarit.
Elseid Hysaj dhe Berat Gjimshiti kanë diskutuar gjysmëfinalen e parë në Kupën e Italisë, ku kanë barazuar 0-0. Të dy futbollistët e Kombëtares ishin titullarë me Napolin dhe Atalantën. Kjo ndeshje nuk pati fitues dhe kualifikimi për në finale do të vendoset në ndeshjen e kthimit në Bergamo. Atalanta u shfaq më e rrezikshme, por nuk arriti ta kalonte portierin Ospina, më i miri në fushë.
Hysaj këtë herë ka luajtur në krahun e majtë, por i spostuar në mesfushë, pasi trajneri Gatuzo kishte zgjedhur një skemë me 3 mbrojtës. Shkodrani u spostua më para, duke luajtur në atë pozicion që e ka aktivizuar në ndonjë rast edhe trajneri Edi Reja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.