Futboll

Video/ Tirana fiton derbin me Dinamon në Elbasan, vendos një dorë te titulli kampion

Gazeta Si - Tirana nuk fal. Në derbin me Dinamon, i zhvendosur në “Elbasan Arena”, pasi në kryeqytet nuk ka stadium të disponueshëm aktualisht, kryesuesit e tabelës kanë regjistruar fitoren e radhës, 1-0, që i shkëput 13 pikë nga vendi i dytë dhe titulli është gjithmonë e më i sigurt.

Goli i vetëm ndeshjes u shënua nga Devid 20 minuta para fundit, por derbi pati shumë episode. Ibraimi, kapiteni i Dinamos, goditi shtyllën, ndërsa në minutat e fundit humbi një penallti, që u prit nga portieri Bekaj. Ishte një penallti e akorduar me VAR për prekje të topit me dorë nga një mbrojtës i Tiranës.

Ishte po VAR-i që anuloi një gol të Dinamos në pjesën e parë, sepse topi ishte prekur me dorë nga lojtari që shënoi, Ali Samake. Dinamo mbetet e zhytur në fundin e tabelës, me shanse më të pakta mbijetese tashmë, pasi rivalët e saj sot kanë fituar dhe janë shkëputur me pikë.

Tirana vendos njërën dorë te titulli, mjafton të administrojë diferencën e madhe të pikëve që ka, madje mund t’ia lejojë vetes edhe ndonjë humbje. Java e 26-të e Superiores mbyllet të dielën me dy ndeshjet Laçi-Teuta dhe Skënderbeu-Kukësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë