Futboll

Video/ Spektakël dhe drithërima në Madrid, Benzema çon Realin në gjysmëfinale

Gazeta Si - Sa shumë vuajtje, drithërima dhe ankth për Realin e Madridit. Emocione të vërteta Championsi. Madrilenët janë mundur në shtëpi 2-3 nga Çelsi, por me rezultatin e përgjitshëm 5-4 janë ata që shkojnë në gjysmëfinale. Vendimtar sërish kapiteni Karim Benzema, ashtu si në Londër.

Ndeshja që mendohej se Reali nuk do ta kishte shumë të vështirë për ta administruar u shndërrua në një makth pas 3 golave të londinezëve. Kualifikimi u vendos në shtesë, sepse 90 minutat e kohës së rregullt në “Santiago Bernabeu” prodhuan të njëjtin rezultat me sfidën e luajtur në “Stamford Bridge”, 1-3.

Çelsi bëri një ndeshje të jashtëzakonshme dhe shënoi 3 gola, fillimisht me Maunt dhe në pjesën e dytë me Rudiger dhe Verner. Anglezëve iu anulua edhe një gol i Alonsos nga VAR-i për prekje të topit me dorë nga ana e spanjollit.

Trajneri Karlo Ançeloti bëri menjëherë dy lëvizje, kur Reali pësoi golin e tretë, duke hedhur në fushë brazilianët Marselo dhe Rodrigo. Dhe 2 minuta pas futjes në fushë Rodrigo shënoi golin që do ta çonte ndeshjen në shtesë, pas një pasimi magjik të Luka Modriçit në zonë.

Karim Benzema, që në kohën e rregullt u ndal nga traversa, shënoi golin e dytë për Realin në minutën e 96-të. Sulmuesi francez edhe këtë herë shënoi me kokë, pas një krosi të Vinicius nga e majta. Një gol që do të rezultonte vendimtar. Havertz dhe Zhorzhinjo iu afruan golit të 4-t, por pa mundur ta gjenin atë, ndaj dhe në gjysmëfinale ka shkuar Real Madrid.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë