Futboll

Video/ Siti zgjohet vonë, në finalen e FA Cup shkon Liverpuli i Jurgen Klop

Gazeta Si - Një javë pas sfidës në Premier Ligë, që u mbyll 2-2, Liverpuli dhe Mançester Siti u takuan sërish në gjysmëfinale të FA Cup. Këtë herë ‘të kuqtë’ fituan 3-2 dhe u kualifikuan për në finale. Skuadra e Klop u duk se i mbylli llogaritë në pjesën e parë, me golat e Konatè dhe Manè (2).

‘Qytetarët’ u zgjuan vonë dhe vetëm sa ngushtuan rezultatin me golat e Grilish dhe Silva.
Ndeshja ishte me sens unik në pjesën e parë dhe me drithërima në fundin e saj për Liverpulin, që u kualifikua në “Wembley”, duke i dhënë një goditje skuadrës së Guardiolës. Mancester Siti i ka dhënë lamtumirën kupës, kurse Liverpuli pret fituesin e ndeshjes mes Kristal Palasit dhe Çelsit në finale.

Të besuarit e Klop kaluan në avantazh pas 9 minutash me Konate, që realizoi me kokë nga një goditje këndi. Siti nuk pati kohë të reagonte, sepse në minutën e 17-të portieri Stefen e katranosi dhe pësoi golin e dytë nga Mane, duke u ‘prerë këmbët’ shokëve të skuadrës. Ai kontrolli topin e kthyer prapa dhe kur deshi të pasonte, e përplasi topin te Mane, që rrëshkiti dhe dyfishoi. E njëjta situatë si ajo me Edersonin javën e kaluar, por me fund të ndryshëm.

Në entuziazëm e sipër Liverpuli realizoi edhe golin e 3-të në fund të pjesës së parë me Mane, që goditi fluturimthi. Në pushim Guardiola i karkikoi të tijtë dhe Siti shkurtoi me Grilish. ‘Qytetarët’ besuan, por vetëm në shtesë shënuan të dytin me Bernardo Silva, duke shkaktuar drithërima te Klop, por ishte shumë vonë dhe në finale shkoi Liverpuli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë