Futboll

Video/ Shkelma dhe 0 gola, Siti kalon mes tensionit. Championsi çështje anglo-spanjolle

Gazeta Si - Trofeu i Ligës së Kampionëve është një çështje anglo-spanjolle. Pas Real Madridit dhe Vilarrealit, në gjysmëfinalën kanë kaluar sot edhe Mançester Siti dhe Liverpuli. Dy kampionatet më të fortë në Europë kanë nga dy përfaqësues në këtë kompeticion, ku Reali tashmë do të sfidojë Sitin, kurse Liverpuli ndeshet me Vilarrealin surprizë.

Në “Wanda Metropolitano” u luajt një ndeshje shumë e tensionuar, ku pati pak futboll, zero gola, shkelma dhe momente nervozizmi, sidmos në fund. Mjafton të përmendim faktin se vetëm në kohën shtesë u dhanë 7 kartonë të verdhë. Është kualifikuar Mançester Siti, falë fitores 1-0 në ndeshjen e parë.

Në pjesën e parë, që ishte e ekuilibruar, Gundogan goditi shtyllën. Në të dytën “Colchoneros” e shtuan ritmin dhe krijuan disa rreziqe në zonën e anglezëve, por pa mundur të shënonin. Momentet e fundit ishin mjaft të tensionuara, Felipe u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa portieri Ederson ishte super në kohën shtesë. Tani skuadra e Guardiolës gjen përballë Real Madridin e Ançelotit.

Ndeshja tjetër në “Anfield” mes Liverpulit dhe Benfikës prodhoi 6 gola, nga 3 për secilën skuadër. Trajneri Jurgen Klop, nisur nga fitorja 1-3 në Portugali, ia lejoi vetes të kursente disa nga titullarët, mes tyre edhe Van Dijk, Mane dhe Salah.

Të kuqtë shënuan fillimisht me mbrojtësin Konate dhe në pjesën e dytë dy herë me sulmuesin Firmino. Portugezët ia dolën të barazonin me golat e Ramos, Jaremçuk dhe Nunjez. Gjithsesi, kualifikimi për në gjysmëfinale u arrit pa shumë probleme për Liverpulin, që ashtu si Reali, është një ekip ekspert në Champions. Në gjysmëfinale sfida me Vilarrealin.

Liga e Kampionëve, çerekfinalet
Sot
Atletiko Madrid-MANÇESTER SITI 0-0 (0-1)
LIVERPUL-Benfika 3-3 (1-3)
Të martën
REAL MADRID-Çelsi 2-3 (3-1)
Bajern Mynih-VILARREAL 1-1 (0-1)
Gjysmëfinalet
Livepul-Vilarreal
Real Madrid- Mançester Siti


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë