Ngjarje

Operacioni anti-‘Ndrangheta’: Lidhja kriminale me Shqipërinë dhe lekët e dala jashtë qarkullimit mes eurove (Video)

Gazeta Si - Një mega-operacion kundër organizatës mafioze kalabreze “Ndrangheta” në Itali dhe në vende të ndryshme evropiane, çoi në arrestimin e 108 personave (85 prej të cilëve janë në burg).

Operacioni "Eureka" numëroi mbi 150 kontrolle në tetë vende të BE-së dhe përfshiu gjithashtu Francën, Gjermaninë, Belgjikën, Spanjën, Portugalinë, Rumaninë dhe Slloveninë.

LEXO EDHE:
Mafia shqiptare po largon Ndranghetën nga Amerika e Jugut

Të dyshuarit bashkëpunonin me organizata kriminale në Brazil, Kolumbi, Ekuador dhe Shqipëri. Prokurorët hodhën dritë për lidhjen e bandave mes tyre, të cilët furnizoheshin me kokainë nga Amerika e Jugut dhe pas dy vitesh futën 6 tonë kokainë në Itali.

Sipas hetuesve, që i referohen mediat italiane, një nga bandat furnizohej me kokainë nga Amerika e Jugut nga shqiptari Denis Matoshi (Eldi Dizdari), i cili aktualisht është në arrati në Dubai, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Grupet e trafikut të kokainës do të pastronin rreth 22.3 mln euro, të gjitha këto të ardhura nga krimi.

Në videon e shpërndarë nga karabinierët gjatë operacionit, shfaqet një tufë me para cash, ku përveç eurove, bie në sy edhe një tufë kartëmonedhash të vjetra shqiptare.

Të lidhura me një llastik, vërehen 100 lek shqiptar, i cili ka dalë nga qarkullimi që në vitet ’90. Ndërkohë që nuk specifikohet arsyeja e kartëmonedhës që prin tufën me para.

Për të pastruar të ardhurat e paligjshme, filialet e tyre kanë krijuar një rrjet global të pastrimit të parave, duke investuar shuma të mëdha në restorante, pasuri të paluajtshme dhe lavazhe makinash, veçanërisht në Gjermani, Portugali, Belgjikë dhe Argjentinë.

Të dyshuarit akuzohen për vepra të ndryshme penale: organizatë mafioze, konkurrencë të jashtme dhe trafik ndërkombëtar droge në rrethana rënduese të transnacionalitetit dhe në sasi të mëdha, trafik armësh, pastrim parash etj.

Dhjetëra kontrolle u kryen edhe në Belgjikë, sipas Prokuroria Federale belge, duke theksuar se sulmi kishte në shënjestër “mbi njëqind anëtarë të dyshuar të mafies kalabreze”.

Dosja, mësohet se është hapur nga prokuroria federale belge, në bashkëpunim me prokurorinë e Limburgut, policinë gjyqësore federale belge, Eurojust, Europol dhe vende të ndryshme, veçanërisht Italinë.

Në Gjermani u kryen arrestime dhe kontrolle në rajonin e Bavarisë, Nordrhein-Westfalia, Rheinland-Pfalz, Saarland dhe Thuringia.

Në Bavari, autoritetet po hetojnë tetë persona. Më shumë se 130 shërbime emergjente kontrolluan disa prona dhe urdhër-arrestet evropiane u ekzekutuan kundër katër personave.

Hetimi hodhi hapat e parë në qershor 2019, ndaj një kalabrezi që emigroi në Genk të Belgjikës dhe dy fëmijëve të tij.

I dyshuari drejtonte një piceri, por ishte në kontakt me tregtarët e kokainës me pasardhësit e tij.

Në të njëjtën kohë, dy vëllezër ishin nën hetim në Kalabri, të cilët kishin investuar "një shumë të pashpjegueshme", ndër të tjera në sektorin e restoranteve në Gjermani dhe Argjentinë.

Hetuesit italianë dhe belgë kanë bashkuar procedimet e tyre, duke zgjeruar listën e të dyshuarve dhe duke përfshirë edhe kushëririn e dy vëllezërve, me banim në Mynih, si dhe të afërm e të njohur të tjerë në këtë qytet.

Sipas asaj që është konstatuar nga policia, “Ndrangheta” ka importuar sasi të mëdha kokaine në Evropë nga Amerika e Jugut me anije konteinerësh që shkonin në portet, si Anversë, Roterdam apo Gioia Tauro. Një pjesë e ngarkesës do të mbërrinte më pas në Australi.

Hetuesit zbuluan një sistem të përhapur të pastrimit të parave në restorante, piceri, kafene, veçanërisht në North Rhine-Westphalia.

Hetuesit gjithashtu aksesuan bisedat e brendshme të të dyshuarve nga telefonat celularë të koduar.

Këto janë pajisje të ofruesve tashmë të mbyllur EncroChat dhe SkyECC. Do të ishte hera e parë që ky lloj telefoni celular kriptografik mund të luante një rol të rëndësishëm në procedurat ndërkombëtare kundër mafies.

Organizata italiane “Ndrangheta” i ka rrënjët në rajonin jugor të Kalabrisë dhe ka tejkaluar “Cosa Nostra”-n për t’u bërë grupi mafioz më i fuqishëm në vend dhe një nga rrjetet më të mëdha kriminale në botë, që merret kryesisht me trafikun e drogës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë