Futboll

Video/ Milani triumfon me 3 gola dhe 3 shtylla, Roma e mbyll me 9 lojtarë

Seria A ka rinisur me shumë probleme të shkaktuara nga situata me Covid-in. Katër ndeshje të javës së 20-të janë anuluar pas vendimit të autoriteteve shëndetësore, duke marrë në konsideratë numrin e të infektuarve. Bëhet fjalë për Bolonja-Inter, Salernitana-Venecia, Atalanta-Torino dhe Fiorentina-Udineze.

Në kryendeshjen e kësaj jave, Milani ka mundur Romën 3-1 në një ndeshje të tensionuar, me përplasje mes lojtarëve në fushë. Roma mbeti me 10 lojtarë çerek ore para fundit, ndërsa në shtesë mbeti me 9 lojtarë. Me karton të kuq u ndëshkuan Karsdrop dhe Mançini.

Milani e nisi shumë mirë ndeshjen, kaloi në avantazh me një penallti të kthyer në gol nga Zhiru, ndërsa Mesias dyfishoi më pas. Abraham mbajti në lojë Romën, duke ngushtuar shifrat në 2-1 që në pjesën e parë. Rafael Leao shënoi golin e tretë për Milanin, pasi kundërshtari kishte mbetur me 10 vetë. Në shtesë Milani fitoi një penallti, që Ibrahimoviç e shpërdoroi.

Duhet theksuar se kuqezinjtë goditën një herë shtyllën me Zhiru dy herë traversën, në fillim me Brahim Diaz dhe më pas me Florencin. Skuadra e Piolit ngjitet në kuotën e 45 pikëve me këtë fitore, 1 më pak se Interi që ka edhe një ndeshje më pak, ndërsa Roma mbetet në kuotën e 32 pikëve. Mbrojtësi i Kombëtares, Marash Kumbulla, nuk luajti asnjë minutë në këtë sfidë.

Juventusi barazoi 1-1 me Napolin. Mertens kaloi ekipin mik në avantazh, ndërsa në pjesën e dytë barazoi Kieza. Befasia më e madhe në këtë ndeshje ishte aktivizimi i Rrahmanit, Labotkës dhe Zielinskit, tre lojtarëve të Napolit që një ditë më parë u izoluan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë