Futboll

Video/ Milani fiton luftën e nervave me Napolin, Zhiru i jep kryesimin

Me një goditje bilardoje fituese të sulmuesit Olivier Zhiru, Milani ka fituar 0-1 kryendeshjen e javës së 28-të të Serisë A në “Diego Armando Maradona” dhe ka rimarrë kryesimin e renditjes, me 60 pikë, 2 pikë para Interit dhe 3 para Napolit.

Skuadra e Spaletit e nisi më mirë ndeshjen, por pa mundur ta vinte në rrezik serioz portierin Maignan. Momenti vendimtar i ndeshjes ishte ai i fillimit të pjesës së dytë, kur sulmuesi francez i Milanit devijoi saktë topin, pas një goditjeje të Kalabrias. Napoli iu afrua shumë barazimit në fund me Ounas dhe Osimhen, por nuk pati fat.

Një fitore shumë e rëndësishme kjo për Milanin, që përveçse i jep kreun e renditjes, zeron edhe llogaritë e ndeshjeve direkt me Napolin. Nuk ishte një 90-minutësh spektakolar, por shumë i ekuilibruar, një luftë nervash që e fituan kuqezinjtë e Piolit. Milani bëri një lojë shumë të mirë në mbrojtje, ndërsa Leao ishte një shqetësim i vazhdueshëm për kundërshtarin.

Juventusi ka mundur sot Specian e Rei Manajt me një gol të Moratës dhe ka konsoliduar pozitat në zonën Champions, pse jo dhe për titullin kampion. Diferenca prej 7 pikësh me kreun nuk është e paarritshme. Interi fitoi me goleadë 5-0 të premten ndaj Salernitanës, ndërsa Roma e Kumbullës mundi 1-0 Atalantën e Gjimshitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë