Florian Kamberi kishte tre mundësi zgjedhjeje: Shqipërinë, Kosovën dhe Zvicrën. Vendosi të bëhet kuqezi dhe meriton respekt. Ai i tha “Po” trajnerit Edi Reja, duke u bërë pjesë e Shqipërisë. Sulmuesi 24-vjeçar u bind nga interesimi konkret i përfaqësuesve të Kombëtares shqiptare dhe nuk deshi të piste më as për Zvicrën dhe as për Kosovën.
Ndihmësi i trajnerit Edi Reja në Kombëtare, Serxhio Porrini, shkoi në Skoci për t’u takuar nga afër me futbollistin e Hibernian. E ndoqi atë gjatë ndeshjes me Selltikun, ku Kamberi shënoi një gol me kokë, por e nisi nga stoli. Pjesëtari i stafit kuqezi foli në mënyrë direkte me lojtarin, duke i bërë të qartë projektin për të ardhmen dhe kjo lëvizje mjaftoi që Kamberi të bindej për të veshur fanellën kuqezi dhe tashmë ai është pjesë e listës zyrtare të trajnerit Reja për ndeshjet me Andorrën dhe Francën.
Kësh është Florian Kamberi? Ai ka lindur në Zvicër, në Zyrih, më 8 mars 1995 (24 vjeç). Është një sulmues shtatlartë, 1.89 metra i gjatë. Një lojtar i tipit të Balajt dhe Cikalleshi, luan me këmbën e majtë dhe pikën e fortë ka luftën në ajër. Është formuar si futbollistë në Zvicër, aty ku ka lindur. Hapat e parë të futbollit profesionist i ka hedhur me skuadrën e Grasshopersit. Pas dy sezonesh me këtë ekip, kaloi te Kalsruhe në Gjermani, në Bundesligën 2. Prej vitit 2018 është pjesë e ekipit Hibernian në Skoci. Ka shënuar 18 gola me fanellën e ekipit skocez. Ka luajtur 11 ndeshje këtë sezon në kampionat, 7 nga të cilat si titullar dhe ka shënuar 1 gol.
Florian Kamberi ka qenë më parë pjesë e Kombëtares U-21 të Zvicrës. Ai është aktivizuar në katër ndeshje me këtë ekip dhe ka shënuar një gol. Këtë herë drejtuesit kuqezinj janë treguar të shkathët dhe ia kanë rrëmbyer Zvicrës, duke përfituar ndoshta nga pritja e zgjatur e sulmuesit për t’u thirrur nga zviceranët. Zgjedhja e Kamberit me siguri ka bërë xheloze edhe Kosovën, pasi sulmuesi mund të shkonte edhe me këtë kombëtare, nëse dëshironte. Zemra e tij, ndoshta edhe rrethanat, i thanë “Po” fanellës kuqezi dhe tani mbetet që lojtari të prezantohet në mëyrën më të mirë në fushën e blertë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.