Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë një miqësore me Uellsin më datë 5 qershor 2021. FSHF bën njoftoi se të dyja federatat kanë rënë dakord për zhvillimin e kësaj ndeshjeje që do të zhvillohet në Uells. Takimi do të luhet në “Cardiff City Stadium” dhe do të nisë në ora 18:00. Kjo do të jetë ndeshja e katërt midis Shqipërisë dhe Uellsit në histori, teksa në të kaluarën janë përballur tre herë me njëra-tjetrën.
Jemi në vitin 1994 dhe Botërori 1994 sapo kishte përfunduar me Brazilin kampion. Eliminatoret e Botërorit, Shqipëria i mbylli në vendin e fundit me vetëm 4 pikë të grumbulluara. Duke lënë pas zhgënjimin e Botërorit, kombëtarja kuqezi bëhej gati të niste një tjetër fazë eliminatore, si përherë me optimizmin që e karakterizon dhe me fjalë të mëdha. Shorti e vendosi Shqipërinë në grupin e 7 përballë Gjermanisë, Bullgarisë, Gjeorgjisë, Moldavisë dhe Uellsit. Një short i pamundur duke patur parasysh cilësitë e ekipit tonë në ato vite.
Ndeshja e parë e këtyre eliminatoreve do të ishte pikërisht përballë Uellsit, një ekip modest që në atë kohë që drejtohej nga Mike Smith dhe kapiteni Ryan Giggs. Përpara këtij takimi trajneri Neptun Bajko udhëton në Greqi në mënyrë që të bindë Lefter Millon të rikthehej në kombëtare, dhe misioni rezultoi me sukses. Ndërkohë që Millo rikthehej, kombëtarja sërish kishte mungesa. Kushta nuk u grumbullua për arsye familjare, kurse Zmijani nuk “gjendej” në Arabinë e Largët. Jo vetëm Greqia, por edhe Kroacia dhe Sllovenia ishin baza të fuqishme për kombëtaren me lojtarë si Shehu, Dosti apo Dalipi.
Data 7 Shtator 1994 shënon ndeshjen e parë të kombëtares sonë. Kjo ndeshje zhvillohej në stadiumin The Arms Park të Cardiff. Për shkak të problemeve teknike dhe financiare kjo ndeshje nuk u transmetua në Shqipëri. Trajneri Bajko hodhi në fushë formacionin që pati premtuar në Tiranë, por me ndryshimin e vetëm që në vend të Fortuzit luajti Shulku, me qëllimin për të përforcuar prapavijën. Në këtë ndeshje Uellsi bën presion të vazhdueshëm. Goli i parë erdhi në minutën e 9-të ku Nathal Blake pason tek Giggs që kroson, por Xhumba shpëton rrezikun duke kaluar topin në goditje këndi e cila do të jetë me pasoja, pasi Coleman mposht Strakoshën. Me kalimin e minutave Shqipëria luan më lirshëm dhe krijon edhe raste të shumta. Kombëtarja nuk heq dorë nga dëshira për të shënuar dhe të udhëhequr nga Fortuzi dhe kapiteni Demollari, më i dalluari në fushë, krijojnë raste të shumta por pa e gjetur dot golin. Por shpresat e ekipit u venitën në minutën e 67-të ku Ryan Giggs shënon me anë të një goditje dënimi. Në këtë mënyrë këto eliminatore filluan me humbje.
Data: 07.09.1994
Gjyqtar: Gianni Beschin (Italia)
Stadiumi, Pjesëmarrja: 15 791, The Arms Park, Cardiff
Uellsi: Neville Southall, Adrian Williams, Paul Bodin, Andy Melville, Chris Coleman, Jeremy Goss (74' Mark Pembridge), David Phillips, Gary Speed, Ryan Giggs, Ian Rush, Nathan Blake (80' Iwan Roberts) Trajner: Mike Smith
Shqipëria: Foto Strakosha, Rudi Vata, Arjan Xhumba, Ilir Shulku, Salvator Kaçaj, Agustin Kola (52' Indrit Fortuzi), Arjan Bellaj, Bledar Kola, Ledio Pano, Ylli Shehu (81' Edmond Dosti), Suleiman Demollari Trajner: Neptun Bajko
Golat: 1:0 (9.) Chris Coleman, 2:0 (67.) Ryan Giggs
Ndeshja e kthimit do të luhej më 15 Nëntor 1995 në Qemal Stafa dhe përkonte me ndeshjen e fundit për këto eliminatore. Kjo ndeshje shihej si mundësi që kombëtarja për herë të parë të braktiste vendin e fundit në renditje. Ndeshja luhej në një pasdite me shi dhe me një stadium larg kushteve për të qenë një ndeshje ndërkombëtare.
Ndeshja nisi mirë për ekipin kuqezi ku në minutën e 5-të, Shqipëria fitoi një penallti që u shndërrua në gol nga Sokol Kushta. Ky do të ishte goli i tij i fundit me kombëtaren duke mbyllur në këtë mënyrë një histori të lavdishme të futbollit shqiptar.
Kombëtarja pati raste të shumta por megjithatë kuqezinjtë nuk arritën të ruanin avantazhin, pasi Uellsi barazoi në minutën e 41-të me Mark Pembridge. Dy skuadrat i mbyllen ato eliminatore me kuota të barabartë pikësh: 8, por Shqipëria qëndronte para Uellsit për shkak të golavarazhit më pozitiv.
Data: 15.11.1995
Gjyqtar: Daud Suheil (Izraeli)
Stadiumi, Pjesëmarrja: 5 000, Stadiumi Kombëtar Qemal Stafa, Tiranë
Shqipëria: Foto Strakosha, Rudi Vata, Hysen Zmijani, Ilir Shulku, Saimir Malko , Gjergji Dema (84' Arben Milori), Artur Lekbello, Altin Rraklli, Ledio Pano, Sokol Kushta (57' Alban Bushi), Kliton Bozgo (79' Alvaro Zalla) Trajner: Neptun Bajko
Uellsi: Neville Southall, Steve Jenkins, Mark Bowen, Andy Melville, Eric Young, Gareth Taylor (84' John Robinson), Dean Saunders, Mark Pembridge, Ryan Giggs, David Phillips, Ceri Hughes (63' Robbie Savage) Trajner: Bobby Gould
Golat: 1:0 (5.) Sokol Kushta (pen.), 1:1 (41.) Mark Pembridge
Ndeshja e tretë mes dy vendeve u luajt më 20 nëntor 2018 në stadiumin “Elbasan Arena”. Sfida, që ishte një miqësore, u mbyll me fitoren 1-0 të Shqipërisë falë golit të Bekim Balajt në minutën e 58. Përgatiti: Mendrit Shehu
Data: 20.11.2018
Gjyqtar: Dejan Jakimovski (Maqedoni)
Stadiumi, Pjesëmarrja: 3 000, Elbasan Arena, Elbasan
Shqipëria: Etrit Berisha, Mërgim Mavraj, Freddie Veseli, Elseid Hysaj, Ardian Ismajli, Andi Lila (59' Ledian Memushaj), Migjen Basha, Taulant Xhaka, Eros Grezda (69' Sabien Lilaj), Bekim Balaj, Myrto Uzuni
Uellsi: Danny Ward, Chris Gunter, James Lawrence, Tom Lockyer, Andy King, Joe Allen (56' Aaron Ramsey), Daniel James (56' Ben Woodburn), Harry Wilson, David Brooks (59' Gareth Bale), Connor Roberts (78' Kieron Freeman), Sam Vokes (78' Rabbi Matondo)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.