Politike

Video-konferencë me Varhelyi, Basha i kërkon rialokimin e fondeve IPA

Lulzim Basha njoftoi se ka patur një video-konferencë me Komisionerin për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi me të cilin thotë se ka diskutuar dy çështje, negociatat dhe koronavirusin.

Tema e parë e diskutuar mes kreut të Partisë Demokratike dhe Komisionerit kanë qenë hapja e negociatave dhe kushtet e vendosura nga BE. Basha tha se i kishte dhënë garanci zyrtarit të BE-së që PD do të bënte gjithçka që kishte në dorë për plotësimin e këtyre kushteve.

“PD do të bëjë gjithçka që ka në dorë për plotësimin e 15 kushteve dhe zbatimi i reformave të nevojshme që do të sjellin jo vetëm hapjen e negociatave, por edhe forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen ekonomike për çdo familje shqiptare”, deklaroi Basha.

Çështja e dytë që Basha thotë se ka diskutuar me Oliver Varhelyi ka qenë mundësia që fondet që BE jep për vendet kandidate të rialokohen në tre fusha ku vendi sot ka më shumë nevojë se kurrë.

“Shqipëria ka një nivel të lartë varfërie dhe e ka të domosdoshme mbështetjen për familjet në nevojë. Komisionerit i kërkova shqyrtimin e mundësisë për rialokimin e fondeve IPA në drejtim të 3 prioriteteve, shëndetësi, mbrojtjen sociale dhe mbrojtjen e biznesit dhe ekonominë. I kërkova që të bëjë gjtihçka për të na ndihmuar me instrumentat e tjera të Bashkimit Europian, si Banka Europiane e Investimeve dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, tha Basha.

Në fund të mesazhit të tij, Basha përsëriti bindjen se në këtë periudhë të vështirë, shqiptarët nuk janë vetëm. “Jini besimplotë se ditë më të mira do të vijnë”, u shpreh kreu i PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë