Futboll

Video/ Interi shëtit në Salerno dhe nis arratinë, fitojnë dhe Hysaj e Strakosha

Interi është një makineri golash. Skuadra e Inzagit ka fituar thellë ndaj Salernitanës, 0-5, dhe ka nisur arratinë, duke u shkëputur 4 pikë nga Milani rival.

Ishte si një shëtitje për zikaltrit në Salerno. Perisiç dhe Dumfris shënuan në pjesën e parë, kurse Sançez, Martinez dhe Galiardini në të dytën. Me këto 5 gola Interi arrin kuotën e 103 golave në vitin 2021.

Interi e zhbllokoi rezultatin që në minutën e 11-të, pas një gjuajtjeje me kokë të Perisiçit. Dumfris në të 33-ën dyfishoi dhe më pas, në fillim të pjesës së dytë, realizoi edhe Sançez. Për “pokerin” mendoi Lautaro Martinez në minutën e 77-të, ndërsa Galiardini shënoi edhe të pestin 3 minuta para fundit.

Ka fituar sot edhe Lacio e Hysajt dhe Strakoshës. Në javën e 18-të të Serisë A Lacio priti Xhenoan dhe arriti të fitonte 3-1, me gola të Pedros, Açerbit dhe Xakanjit. Me këtë fitore, Lacio është ngjitur në kuotën e 28 pikëve, aq sa kanë edhe Roma dhe Juventusi.

Elseid Hysaj dhe Tomas Strakosha ishin titullarë në këtë ndeshje. Mbrojtësi shkodran u zëvendësua pas një ore lojë, kurse portieri kuqezi luajti 90 minuta. Që të dy u vlerësuan me notën 6 për paraqitjen e bërë ndaj Xhenoas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë