Futboll

Video/ Interi keqtrajton Romën e Kumbullës, Veseli titullar ndaj Milanit

Një fitore bindëse ka arritur Interi në “Olimpico”, ku ka mundur 0-3 Romën e Marash Kumbullës, i zgjedhur titullar nga Mourinjo për këtë sfidë. Që në pjesën e parë Interi vendosi diktatin e tij me 3 gola të shënuar nga Çalhanoglu, Xheko dhe Dumfries. Dhe kaq mjaftoi që Roma të dorëzohej.

Ndeshja e Kumbullës zgjati vetëm 60 minuta, pasi u ndërrua nga trajneri portugez, që duhet theksuar se kishte shumë mungesa për këtë duel të rëndësishëm. E gjithë Roma bëri një ndeshje shumë të keqe, por Kumbulla, bashkë me Zaniolon dhe Kristanten, ishin tre lojtarët më të dobët në fushë. Një paraqitje për t’u harruar për mbrojtësin kuqezi.

Milani më parë kishte fituar me lehtësi, 2-0, ndaj Salernitanës së Frederik Veselit. Kesi dhe Saelemaekers realizuan golat e fitores për Milanin, që ngjitet në vend të parë me 38 pikë, 1 më shumë se Interi, duke përfituar nga humbja e Napolit ndaj Atalantës së Berat Hjimshitit . Veseli luajti 90 minuta ndaj Milanit, ndërsa skuadra e tij vazhdon të qëndrojë në vend të fundit të Serisë A.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë