Rend dhe Ligj

Video/ Guardia di Finanza monitoron veriun e Shqipërisë kundër kanabisit

Gazeta Si - Prej datës 1 Maj, paralelisht me kontrollin në terren nga strukturat e Policisë së Shtetit, ka nisur monitorimi ajror nga GDF për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, së bashku me ekipin e GDF-së, për 3 orë, monitoruan nga ajri, me helikopter të pajisur me aparatura speciale, zonën veriore të vendit.

Gjatë monitorimit u verifikuan, në zona të thella si Dukagjin, Theth, Valbonë, Muriqan, Malësi e Krujës etj, koordinata në të cilat kishte dyshime se kultivoheshin bimë narkotike. Gjithashtu, u ndoq dhe u verifikua një mjet lundrues, i cili nuk kishte sende të kundërligjshme në bord, por kishte dalë për peshkim.

“Ne, sot, zhvilluam një fluturim monitorimi, bashkë me kolegët e “Guardia di Finanza”, kryesisht në zonën veriore të vendit. Pjesëmarrja ime në këtë fluturim nuk ishte thjesht për t’i falenderuar kolegët italianë që punojnë për të na mbështetur në luftën kundër kultivimit të kanabisit, por për t’iu treguar të gjithë mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe vendosmërinë time personale, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, po ashtu edhe të të gjithë efektivëve, në lidhje me goditjen e problematikës së kultivimit të kanabisit”, - tha drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë