Futboll

Video/ Gola, autogola dhe kartonë të kuq. Kuqezinjtë i bëjnë të gjitha në Europë

Gazeta Si - Futbollistët e Kombëtares janë gjithmonë protagonistë me klubet e tyre. Shumica luajnë rregullisht në kampionatet më të forta të Europës, ndërsa fati rezervon për ta përjetime të ndryshme. Këtë fundjavë kuqezinjtë thuajse i kanë provuar të gjithë: gola, autogola, kartonë të kuq, pritje spektakolare dhe stol.

Golat kuqezi këtë herë vijnë nga Austria, ku sulmuesi Xhakomo Vrioni rezultoi vendimtar për Tirolin me 2 gola të rëndësishëm. Sulmuesi në pronësi të Juventusit, i huazuar te Tiroli, shënoi golat e përmbysjes ndaj Riedit nga 2-1 në 2-3. Vrioni realizoi golin e barazimit në minutën e 82-të dhe në shtesë atë të fitores. Ishte një fitore me shumë vlera për skuadrën e sulmuesit shtatlartë, pasi e largon atë nga zona e rënies nga kategoria. 12 gola për Vrionin me Tirolin këtë sezon.

Armando Broja luajti titullar ndaj Arsenalit në kampionat, por edhe këtë herë ai nuk mundi ta gjente rrugën e rrjetës. Një moment jo i mirë për sulmuesin e Kombëtares. Ai u zëvendësua në pjesën e dytë dhe sipas shtypit sportiv britanik, ishte ndër më të dobëtit për Sauthemptonin.

Një fundjavë për t’u harruar ishte edhe për mbrojtësin Ivan Balliu, i cili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Alaveshit, ku Rajo Valekano humbi 1-0. Në një dyluftim afër vijës fundore, Balliu shkeli kundërshtarin dhe arbitri e konsideroi si një veprim të qëllimshëm të mbrojtësit kuqezi, duke i dhënë ndëshkimin maksimal.

Strakosha ne momentin e pesimit te golit. Gazeta Si, 17 prill 2022

Në Itali këtë fundjavë kishim një derbi portierësh, Strakosha përballë Berishës. Të dy pësuan nga një gol në sfidën Lacio-Torino, që u mbyll në barazim 1-1. Që të dy janë vlerësuar me notën 6 për paraqitjen, por duhet theksuar se Berisha ka bërë një pritje spektakolare ndaj Milinkoviç Saviç. Në këtë ndeshje mungoi Hysaj, në stol gjithë kohën, kurse Vojvoda luajti 90 minuta për Torinon.

Ismajli pas autogolit. Gazeta Si, 17 prill 2022

Fati i keq ka përndjekur mbrojtësin Adrian Ismajli, titullar për Empolin ndaj Udinezes, bashkë me Asllanin dhe Bajramin. Ismajli shkaktoi një autogol në humbjen 4-1 të Empolit, ku në tentativë për të larguar një top të krosuar nga e djathta, ai bëri devijimin e gabuar, duke e dërguar në rrjetën e tij. Më pas Ismajli u ndëshkua me karton të verdhë. Ai dhe Asllani qëndruan 90 minuta në fushë, kurse Bajrami u ndërrua pas 70 minutash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë