Futboll

VIDEO/ Fitorja në Stamboll, Klop ulërin si Roki Balboa: Adriaaan!

Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, e ka shijuar në mënyrën e vet suksesin e radhës. Skuadra e drejtuar nga trajneri gjerman fitoi Superkupën e Europës ndaj Çelsit pas gjuajtjeve të penalltive dhe Klop ka bërë një shaka me portierin-hero.

Jurgen Klop dhe i gjithë populli i Liverpulit kanë shpërthyer në festë sërish në Stamboll. Shumë vite pas suksesit ndaj Milanit në Champions League, edhe atëherë me penallti, “Të kuqtë” kanë shtuar në palmaresin e tyre edhe trofeun e Superkupës së Europës. Trajneri gjerman ka festuar, ka vrapuar, ka qeshur dhe ka kërcyer. Ai ka dhuruar spektakël pas penalltisë së fundit të pritur nga portieri Adrian, duke ulëritur para telekamerës: "Adriaaaaaaan, si Roki". Një batutë e trajnerit Klop për gazetarin e parë që e intervistoi. Klop ka huazuar ulërimën e famshme të Silvester Stalone në filmin e njohur me karakter sportiv. "Jam i lumtur për të, nuk më duket një nga ata që kanë fituar shumë në jetë…", ka shtuar gjermani, sërish me humor.

https://twitter.com/LFC/status/1161764717704155138
Batuta e trajnerit Klop në intervistën e parë pas ndeshjes ndaj Çelsit. Gazeta Si, 15 gusht, 2019

Më pas edhe analiza e ndeshjes: "Ishte një ndeshje shumë e vështirë për të dyja skuadrat. Në fund ia dolëm ne të fitonim. Askush në stadium nuk e dëshironte kohën shtesë, sepse është vërtet sfilitëse. Penalltia e barazimit 2-2? Nuk jam i sigurt, nëse ishte apo jo, por kujt i plas tani… E nisëm mirë ndeshjen, por më pas u dorëzuam. Na u desh të luftonim shumë më pas për të fituar dhe tani le t’i gëzohemi këtij suksesi", - ka thënë mes të tjerash trajneri i Liverpulit.

Trajneri i Çelsit, Frenk Lampard, i dëshpëruar pas humbjes. Gazeta Si, 15 gusht 2019

Në anën tjetër, Frenk Lampard po vuan në këto hapa të parë si trajner i Çelsit. Humbja e thellë 4-0 me Mançester Junajtid dhe tani humbja në Superkupë me penallti. "Një fat i keq i tmerrshëm. Jemi më fatkeqët në botë. Jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, jam krenar për lojtarët. Kam marrë sinjale mjaft pozitive nga kjo ndeshje dhe duke vazhduar kështu e duke u përmirësuar akoma, jam i bindur se do të përjetojmë një sezon të bukur”, - theksoi Lampard pas ndeshjes në Stamboll.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë