Futboll

Video/ Festival fishekzjarresh dhe shashkash në derbi, tifozët jashtë kontrollit

Gazeta Si - Derbi i kryeqytetit, Tirana-Partizani, ishte ndoshta më i zjarrtë nga sa pritej këtë radhë dhe më shumë se skuadrat në fushë, vëmendjen e morën tifozët në tribuna, shpesh duke krijuar probleme serioze dhe ndërprerje loje në disa momente.

Në pjesën e parë pati momente, kur në fushë u hodhën fishekzjarre dhe tymuese si nga tifozët e Tiranës, ashtu edhe nga ata të Partizanit. Madje, pas 30 minutash lojë pati një breshëri tymuesesh në fushë, çka e bëri të paqartë pamjen dhe loja u ndërpre disa minuta.

Në fundin e pjesës së parë Xhixhës i shpërtheu një fishekzjarr shumë pranë dhe ai u rrëzua në tokë. Në pjesën e dytë e njëjta gjë ndodhi me portierin Bekaj, që mbronte portën para tifozëve të Partizanit. Këta të fundit dolën jashtë kontrollit të stjuardëve dhe forcave të rendit, madje filluan të hidhnin edhe stola në fushë. Një sjellje e patolerueshme, aq më tepër që në jemi në monitorimin e UEFA-s, për shkak të finales së Ligës së Konferencës.

Kryesfida e javës së 23-të të kampionatit nisi me spektakël muzikor në tapetin e blertë, ndërsa tifozët ishin vërtet të shumtë, pavarësisht kohës me shi. Derbi u mbyll në barazim 0-0, një rezultat që kënaq më shumë Tiranën kryesuese, ndërsa Partizani nuk mundi të fitojë terren në tabelën e renditjes.

Dy skuadrat zhvilluan një lojë mjaft luftarake dhe krijuan disa raste për gol, por pa mundur të gjenin rrugën e rrjetës. Rastin më të mirë e humbi Stenio Zhunior i Partizanit, i cili shumë afër portës e çoi topin jashtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë