Futboll

Video/ Eurodisfatë për Juventusin, kapitullim fatal në Champions ndaj Vilarrealit

Gazeta Si - Kush mendonte se Juventusi do ta kalonte me lehtësi Vilarrealin në Champions, është gabuar. Italianët janë tashmë jashtë këtij kompeticioni dhe kanë dalë më mënyrën më të keqe, me një humbje 0-3 në fushën e tyre. Një dështim i madh për skuadrën e Alegrit në futbollin që vlen, ndërkohë që në çerekfinale kalon “Nëndetësja” spanjolle, që në fushën e saj kishte barazuar 1-1.

Ishin fatale 12 minutat e fundit, ku Juventusi shkaktoi dy penallti, me Ruganin fillimisht dhe në fund me De Ligt. Në të dy rastet Vilarreali arriti të shënonte me Gerard Moreno dhe Danjuma. Në mes të dy penalltive shënoi edhe Pau Torres. Një goditje e rëndë kjo për bardhezinjtë, të cilët nuk po arrijnë prej vitesh t’i shkojnë deri në fund Championsit.

Vetëm një traversë e Vlahoviç është shumë pak për Juventusin, që në fakt dominoi në lojë, por u godit në rastin e parë vërtet të rrezikshëm të spanjollëve. Pas golit të parë të pësuar u futën në fushë Dibala dhe Bernardeski, por asgjë nuk ndryshoi, përkundrazi, u pësuan edhe dy gola të tjerë. Një eliminim ky, që me siguri do të lërë pasoja të rënda për italianët.

Çelsi fitoi edhe ndeshjen e kthimit ndaj Lilës, 1-2, duke kaluar pa probleme në çerekfinale. Burak Jillmaz shënoi me penallti, duke ndezur shpresat e francezëve, por Pulisiç në fund të pjesës së parë dhe Azpilikueta në pjesën e dytë përmbysën gjithçka, duke i dhënë fitoren skuadrës londineze.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë