Futboll

Video/ Etrit Berisha bën heroin, pritje spektakolare në barazimin ndaj Interit

Ka përfunduar në barazim 1-1 ndeshja mes Torinos dhe kampionëve në fuqi të Interit. Mund të shkonte më keq për zikaltrit, që barazuan në shtesë me anë të Sançez, pasi më parë hasën në ‘murin’ e pakalueshëm me emrin Etrit Berisha.

Portieri kuqezi, titullar prej dy ndeshjesh pas dëmtimit të Milinkoviç-Saviç, ka treguar vlerat e tij më të mira. Berisha u bë shpëtimtar i portës së Torinos në të paktën 4 raste, duke ndaluar Lautaro Martinezin, Çalhanoglu, DiMarkon dhe Vidalin. Ai u mposht në shtesë, por gjithsesi ishte hero për skuadrën e tij në atë barazim.

Berisha dhe Bremer ishin lojtarët që u vlerësuan me notën më të lartë, 7.5, për paraqitjen e bërë në këtë ndeshje.

Torino shënoi i pari që në minutën e 12-të me Bremer. Gjatë pjesës së parë pati polemika për një penallti të padhënë në favor të Torinos, pas ndërhyrjes së Ranokias ndaj Belotit. Arbitri vazhdoi lojën, ndërsa VAR-i nuk ndërhyri në këtë moment. Interi krijoi më pas shumë raste, por vetëm në kohën shtesë arriti t’i shpëtonte humbjes.

Milani udhëheq kampionatin e Serisë A me 63 pikë, i ndjekur nga Napoli me 60 pikë, kurse Interi, me një ndeshje më pak, renditet i treti, me 59 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë