Futboll

Video/ Dinamo dhe Partizani ndajnë pikët në derbi, Vllaznia ngec në Korçë mes tensionit

Janë zhvilluar sot dy nga ndeshjet e javës së 22-të të Abissnet Superiores dhe që të dyja janë mbyllur në barazim. Derbi Dinamo-Partizani, i zhvilluar në “Elbasan Arena”, u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa Skënderbeu-Vllaznia përfundoi 2-2.

Dinamo ka ndalur serinë e humbjeve, tri radhazi në kampionat dhe një në Kupë ndaj Partizanit, por barazimi i sotëm po ndaj të kuqve nuk është se e kënaq shumë, pasi mbetet në zonën e rrezikshme të rënies. Ishte një ndeshje poshtë nivelit mesatar, me pak raste për shënim në të dyja portat.

Partizani luajti me 10 vetë çerek oren e fundit të lojës, pas ndëshkimit me të kuq të Muratajt, ndërkohë që VAR-i anuloi penalltinë e akorduar në këtë rast nga arbitri Jorgji. Pas këtij barazimi, Dinamo shkon në kuotën e 20 pikëve, kurse Partizani në kuotën e 30 pikëve.

Një ndeshje me më shumë ritëm dhe më shumë tension u luajt në Korçë, ku sërish pati gurë ndaj arbitrave, por kjo tashmë është bërë e zakonshme. Skënderbeu kaloi i pari në avantazh me shkodranin Nika, më pas Vllaznia përmbysi gjithçka në 1-2, ndërsa në fund portieri Zogoviç katranosi gjithçka.

Ai shkaktoi një penallti dhe u ndëshkua me karton të kuq, vendime që u konfirmuan edhe pas konsultimit me VAR-in. Portieri i Vllaznisë reagoi shumë keq dhe mezi u nxorr nga fusha nga shokët e skuadrës, pasi nuk ishte dakord me penalltinë dhe kartonin e kuq.

Java e 22-të vazhdon të shtunën me përballjen mes dy kryesueseve Tirana-Laçi, si dhe me dy ndeshjet e tjera, Egnatia-Kastrioti dhe Kukësi-Teuta. Tirana kryeson me 46 pikë dhe ndiqet nga Laçi me 43 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë