Kombetarja

Video/ Dermaku dhe Laçi optimistë: Lituania, një aksident, i kemi cilësitë për në Europian

Kastriot Dermaku dhe Qazim Laçi ishin dy lojtarët që dolën përpara mediave para ndeshjeve ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë. Mbrojtësi që këtë të hënë u huazua te Lecce në Serie B është shprehur se anulimi i miqësores me Armeninë është një gjë e mirë duke qenë se tashmë do të kenë më shumë kohë të stërviten për dy ndeshjet e radhës zyrtare në transfertë ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë.

ARMENIA – Është lajm pozitiv. Kemi më shumë kohë të stërvitemi me lojtarët e rinj. Situata në Armeni nuk është shumë e mirë për momentin. Kemi më shumë kohë për stërvitjen me lojtarët e rinj.

TRANSFERIMI TE LEÇE  – Jam i kënaqur, sepse, me siguri, do të aktivizohem më shumë. Kam bërë mirë, edhe pse kam pasur pak hapësira te Parma, ishim 5 mbrojtës qendror. Zgjodha të kaloj te një ekip që më ka në projektin e vet, mendoj se do të luaj më shumë.

KONKURRENCA – Jemi të kënaqur, është konkurrencë pozitive. Jemi të gjithë lojtarë të fortë, konkurrenca vetëm përmirëson kombëtaren. Kush luan do të bëjë mirë, pasi jemi të gjithë lojtarë shumë të mirë në mbrojtje. Momenti nuk është i mirë, edhe për shkak të Covid-19. Ka shumë probleme, por jam i bindur që me lojtarët e rinj, të cilët luajtën shumë mirë me U21 do të bëjnë mirë. Me punë dhe pozitivitet, besoj se gjërat do të shkojnë mirë.

HUMBJA E FUNDIT ME LITUANINË – Nuk jemi të kënaqur për ndeshjen ndaj Lituanisë. Vinim pas fitores ndaj Bjellorusisë. Fizikisht nuk ishim në performancën më të mirë. Shpresoj që nuk do të ndodhë më. Do të japim maksimumin. Nuk zbresim në fushë për të barazuar apo për të humbur. I kemi mundësitë të fitojmë. Ai është objektivi jonë.

Duhet të jemi më të përqendruar ndaj ekipeve të ashtuquajtura të vogla. Jam i bindur se gjërat do të shkojnë më mirë. Ndeshja ndaj Bjellorusisë solli pozitivitet në ekip, por lodhja fizike shkaktoi humbjen tonë ndaj Lituanisë në Tiranë. Duam të fitojmë ndeshjet e radhës, që të bëjmë autokritikë. Kemi një grup të fortë dhe duam të marrim sa më shumë pikë.

Qazim Laci një nga lojtarët e përzgjedhur nga trajneri Edy Reja për t’i dhënë ritëm tjetër kombëtares në ndeshjen e fundit  foli për ndryshimet në listën e fundit dhe potencialin, që skuadra ka për të arritur objektivat e shpallura.

PRURJET E REJA – Do të jetë shumë interesant ky grumbullim, pasi mungojnë shumë lojtarë me eksperiencë. Lojtarët e rinj që kanë ardhur tani, kanë dhënë maksimumin nëpër ekipet që luajnë dhe prandaj janë thirrur nga trajneri. Besoj do të jetë një grumbullim i mirë. Këtë gjë duhet ta tregojmë në fushë.

DEBUTIMI – Debutimi me Lituaninë, nuk ishte ai që kisha në mendjen time. Nuk fituam dhe ekipi nuk bëri një performancë të mirë. Shpresoj që çdo herë të jem titullar me ekipin kombëtar. Kjo është zgjidhja e trajnerit. Unë çdo herë do të jap maksimumin. Edhe tek ekipi kombëtar edhe tek klubi, për të qenë gjithmonë i gatshëm.

FORMA Kampionati në Francë është shumë i mirë dhe ndihem shumë mirë dhe nuk kam ndërmend të lëviz për momentin. Për ndeshjen ndaj Lituanisë nuk prisnim të humbnim me atë lloj paraqitje. Si duket nuk ishim gati dhe e morëm lehtë. Të gjitha ndeshjet do të jenë shumë të forta. Ne do të japim maksimumin për të marrë më shumë pikë. Ky është objektivi jonë.

EURO 2024 Sigurisht që i kemi mundësitë për Euro 2024. Trajneri ka sjellë edhe lojtarë të rinj, çka do të thotë se ka shumë mundësi zgjedhje. Kjo do të thotë se e kemi një shans shumë të madh tani dhe ne na duhet të marrim fitoret. Nga humbja ndaj Lituanisë kemi mësuar dhe në të ardhmen do i lexojmë mirë ndeshjet dhe do jemi më mirë.

REJA Kam folur me trajnerin dhe para ndeshjes ndaj Lituanisë kur luajta nga fillimi. Më ka folur për pritshmëritë ndaj meje dhe mënyrën sesi do të luajmë. Trajneri nuk ka edhe shumë kohë të bisedojë me të gjithë lojtarët dhe prej pandemisë nuk kemi patur mundësi të grumbullohemi. Nga ana ime çdo gjë që thotë trajneri duhet ta mësojmë sa më shpejt dhe ta tregojmë në fushë.

https://www.youtube.com/watch?v=Nv3pdE3anhA&feature=emb_title

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë