Futboll

Video/ Derbi për infarkt. Flakadanë, ndërprerje loje, penallti dhe festë bardheblu

Derbi i zjarrtë Partizani-Tirana i ka pasur të gjitha brenda. Është mbyllur me fitoren 1-2 të Tiranës kjo ndeshje, ku secila skuadër pati raste, por edhe me shumë episode në shkallët e stadiumit dhe në gjykim.

Gjatë pjesës së parë ka pasur një ndërprerje loje disaminutëshe pas golit të Tiranës, pasi një tifoz i saj ka përjetuar emocione shumë të forta dhe ka ndjerë shqetësime në zemër. Aty ka shkuar autoambulanca, që e ka marrë tifozin bardheblu dhe e ka cuar në spital. Kjo ka bërë që edhe nisja e pjesës së dytë të vonohej disi, pasi duhej të vinte një autoambulancë në stadium.

Tifozët kanë bërë pjesën e tyre, duke dhuruar spektakël, por edhe duke e tepruar në ndonjë moment me flakadanë, çka bëri që ndeshja të ndërpritej disa herë. Situatë pak a shumë normale për një derbi të tillë.

Protagonist në fushë është bërë fillimisht ai që pritej më pak, Florian Përgjoni, i cili shënoi një gol ndoshta “pa dashje” me kokë, duke e kaluar Tiranën në avantazh. Xhixhës iu anulua më parë një gol për pozicion jashtë loje, ndërsa në një rast tjetër sulmuesi bardheblu gaboi pranë portës.

Partizani ngulmon dhe 12 minuta para fundit fiton një penallti, që konfirmohet edhe nga VAR-i. Këtu situata komplikohet, sepse Bekaj pret gjuajtjen e Xhuniorit, por arbitri vendos përsëritjen e penalltisë, ngaqë lojtarët kanë hyrë në fushë para goditjes. Tifozët e Tiranës reagojnë dhe hedhin sende në fushë, duke ndërprerë sërish ndeshjen për pak minuta. Në gjuajtjen e dytë braziliani i Partizanit gjuan saktë dhe 1-1.

Shtesa është e gjatë për shkak të ndërprerjeve të shpeshta dhe në minutën e 10-të Xhixha ka shënuar golin e fitores për bardheblutë, që ngjiten në kuotën e 33 pikëve, kurse Partizani mbetet me 18 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë