Futboll

Video/ Derbi asfiksues për Strakoshën dhe Hysajn, Kumbulla shijon fitoren nga stoli

Gazeta Si - Derbi për Romën. Mourinjo fiton 3-0 ndaj Sarrit dhe e parakalon në renditje, duke zënë vendin e 5-të me 51 pikë. Gjithçka ndodhi në pjesën e parë, ku dopieta e sulmuesit Abraham dhe goli kryevepër i Pelegrinit i kanë dhuruar Romës rezultatin e 9-të pozitiv radhazi.

Një fitore e madhe për Romën në derbin e vlefshëm për javën e 30-të të Serisë A. Pa u mbushur ende një minutë, Strakosha duhet të nxjerrë topin nga rrjeta. Abraham dyfishon në minutën e 22-të dhe 5 minuta para fundit të pjesës së parë Pelegrini realizon edhe golin e tretë mjeshtërisht.

Strakosha dhe Hysaj ishin në fushë nga minuta e parë për Lacion, kurse Kumbulla e shijoi këtë sukses të Romës nga stoli. Mbrojtësi shkodran, i aktivizuar në të majtë nga trajneri Sarri, u ndërrua pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë dhe u vlerësua me notën 5.

Pak më mirë Tomas Strakosha, që mori notën 5.5, më e larta për skuadrën e tij në këtë ndeshje. Edhe pse pësoi 3 gola, portieri kuqezi shmangu disa raste të tjera të rrezikshme.

Nga kuqezinjtë e Italisë, Asllani dhe Bajrami ishin titullarë për Empolin në barazimin 1-1 ndaj Veronës. Ata janë tashmë dy pika kyçe në formacionin e skuadrës së tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë