Kombetarja

Video/ Cikalleshi nuk mjafton, Shqipëria pëson 3 gola në Pragë

Nëse edhe ndaj Polonisë dhe Hungarisë në shtator kuqezinjtë do të luajnë si sot në Pragë, llogaritë e objektivit për vendin e dytë në grup jo vetëm që nuk dalin, por mund të shkojë edhe më keq. Shqipëria është mundur 3-1 nga Çekia në një ndeshje, ku ka bërë shumë gabime, madje edhe në mbrojtje, reparti që ka pasur më shumë stabilitet. Goli spektakolar i Sokol Cikalleshit nga distanca ishte vetëm një moment pozitiv për skuadrën tonë, që ka shumë për të rregulluar.

Trajneri Reja nuk lëvizi asgjë në prapavijë, ku para portierit Selmanit ishte treshja Ismajli-Kumbulla-Gjimshiti. Italiani aktivizoi Kallakun nga minuta e parë në treshen e mesfushës, përkrah Bares dhe Abrashit, ndërsa në krahë preferoi Trashin dhe Veselin para Dokës dhe Lenjanit, të futur në fushë në 20 minutat e fundit. Cikalleshi luajti titullar këtë herë në sulm, bashkë me Manajn.

Fillimi i ndeshjes ishte relativisht i mirë për kuqezinjtë, të cilët tentuan të shikonin më shumë drejt portës çeke, por kjo zgjati vetëm 18 minuta. Patrik Shik zhbllokoi shifrat, duke përfituar edhe nga një hezitim i mbrojtjes sonë. Edhe në vazhdim ky repart pati vështirësi për të mbyllur hapësirat. Situata ndryshoi në fundin e pjesës së parë, kur Cikalleshi gjuajti fort me të djathtën nga distanca dhe tundi rrjetën.

Edhe fillimi i pjesës së dytë ishte pozitiv për skuadrën e Rejës, që fitoi më shumë siguri, por u ndëshkua nga një gol i Masopust, i cili mposhti Selmanin me një një gjuajtje tokazi diagonal. Trajneri Reja, pasi kishte hedhur më parë Çekiçin në fushë në vend të Kallakut, aktivizoi edhe Lenjanin, Dokën, Balajn, Seferin dhe Laçin. Cikalleshi iu afrua golit të dytë para se të zëvendësohej, por u ndal nga portieri kundërshtar. Çeslutka do të vuloste rezultatin në 3-1 në fundin e ndeshjes. Në shtesë Bare goditi shtyllën.

Edhe këtë herë, ashtu si në Uells, nuk munguan momentet e nervozizmit mes lojtarëve, po ashtu as rrëzimi i trajneri Reja, i shtyrë nga nga një futbollist çek. Italiani duhet të sistemojë jo pak gjëra para shtatorit, sidomos mënyrën e kërkimit të golit dhe ndoshta për këtë do ta ndihmojnë edhe lojtarët që munguan në këto dy miqësore, Hysaj, Uzuni, Roshi, Gjasula e të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë