Kombetarja

Video/ Cikalleshi i papërmbajtshëm në Turqi, mbrojtësit kuqezi titullarë në Itali

Është momenti i Sokol Cikalleshit. Sulmuesi i Kombëtares po shënon rregullisht me skuadrën e tij në kampionatin turk, Koniasporin. Kavajasi ishte protagonist absolut në fitoren 5-1 ndaj Karagumuk, ku shënoi 2 gola dhe dha një asist për Bytyqin.

Cikalleshi shënoi në mesin e pjesës së parë, por ky gol u anulua nga VAR-i. Më pas skuadra e futbollistit kuqezi u gjend në disavantazh, arriti të barazonte brenda pjesës së parë dhe për të kaluar në avantazh do të mendonte Cikalleshi, që realizoi nga shumë afër portës. Sulmuesi shqiptar pastaj do të jepte një pasim të saktë për golin e tretë të shënuar nga Bytyqi, ndërkohë që do të shënonte edhe golin e katërt, për të lënë fushën 8 minuta para fundit.

Në Serinë A fjalën e kanë mbrojtësit kuqezi. Pas Ardian Ismajlit, që ishte titullar me Specian, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Elseid Hysajn, Berat Gjimshitin dhe Marash Kumbullën. Hysaj luajti sërish në të majtë, por këtë herë një gabim i tij bëri që Napoli të humbiste dy pikë, pas barazimit 1-1 ndaj Kaljarit. Futbollisti shkodran la të lirë lojtarin që mbulonte, Nandez, që realizoi në shtesë golin e barazimit.

Gjimshiti luajti 90 minuta ndaj Sasuolos, ku skuadra e tij mbeti me 10 vetë shumë shpejt dhe për mbrojtësin kuqezi kishte jo pak punë. Ai u ndëshkua me karton të verdhë në pjesën e dytë të ndeshjes që u mbyll në barazim, 1-1. Është rikthyer titullar edhe Kumbulla, i cili luajti 64 minuta në humbjen 2-0 në fushën e Sampdorias. Kumbulla u ndëshkua me karton të verdhë, por pozitiv është fakti që ai është rikthyer në fushë, pasi pas dëmtimit u mendua se kishte mbyllur sezonin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë