Futboll

Video/ Broja ndal Sitin, arbitri dhe shtylla i prishin tri herë festën sulmuesit kuqezi

Armando Broja ishte protagonist në ndeshjen mes Southemptonit dhe Mançester Sitit, që përfundoi në barazim, 1-1. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare këtë herë ka qenë pa fat për të gjetur rrugën e rrjetës.

Broja shënoi në fakt në minutën e 23-të, por goli u anulua për pozicion jashtë loje dhe pamjet më pas treguan se anësori kishte të drejtë. Më pas lojtari i Kombëtares ishte protagonist i një episodi tjetër. Ai u rrëzua në zonë pas një kontakti me portierin Ederson dhe dukej penallti e sigurt, por edhe këtë radhë pati një sinjalizim për pozicion jashtë loje.

Edhe më pa fat ishte lojtari i Kombëtares kuqezi në pjesën e dytë, teksa në zhvillimet e një goditjeje këndi goditi me kokë drejt portës dhe topi u ndal në shtyllë. Broja bëri shumë për skuadrën dhe e ndihmoi atë me volumin e lojës, pavarësisht se nuk shënoi.

Southemptoni ia doli të marrë pikë ndaj kampionëve në fuqi të Premier Ligës. Pas 22 javësh kampionat, skuadra e Brojës ka 25 pikë në tabelën e klasifikimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë