Futboll

Video/ Benaser magjik, Milani ruan kryesimin. Interi stonon dhe mbetet 6 pikë prapa

Një e majtë fluturimthi e mesfushorit Ismail Benaser i ka dhënë Milanit një fitore shumë të rëndësishme, 0-1 në fushën e Kaljarit. Kuqezinjtë kryesojnë Serinë A me 66 pikë, të ndjekur nga Napoli me 63, ndërsa Interi renditet i treti me 60 pikë.

Milani vuajti në transfertën e Kaljarit, e vlefshme për javën e 30-të të kampionatit, por në fund ia doli të merrte 3 pikët dhe të shtojë edhe më shumë shanset e titullit. Vendimtar ishte episodi i minutës së 59-të, kur Benaser gjeti goditjen fituese, pas një sponde të Zhiru. Milani pati edhe fat, pasi Kaljari goditi traversën në minutën e fundit.

Interi nuk mundi të shkojë më shumë se barazimi 1-1 në fushën e tij ndaj Fiorentinës, duke lënë të tjera pikë të rëndësishme. Për miqtë shënoi Toreira, por vetëm pas 5 minutash Dumfris baraspeshoi gjithçka. Të besuarit e Inzagit shpërdoruan shumë raste, ndërsa ndërrimet në pjesën e dytë nuk dhanë rezultat. Zikaltrit ndodhen tashmë 6 pikë larg kreut, me një ndeshje më pak.

Napoli i falet sulmuesit Osimhen për vendin e dytë. Sulmuesi nigerian përmbysi në pjesën e dytë Udinezen, që shënoi e para me Deulofeu. Ai realizoi dy gola në pak minuta dhe Napoli i Amir Rrahmanit fitoi 2-1, duke mbajtur vendin e dytë dhe duke shpresuar për titullin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë