Futboll

Video/ Barcelona si në kohët e arta, turpëron Real Madridin në ‘Bernabeu’

Gazeta si - Mbrëmje e jashtëzakonshme për skuadrën e Ksavit, që fitoi bindshëm “El Clasico”-n, 0-4. Katalanasit tani mbajnë vendin e tretë, me një ndeshje më pak.

Një fitore e bujshme e Barcelonës, që u duk si në kohët e saj të arta. Në spektaklin e katalanasve në “Bernabeu” vendosën dopieta e Aubamejang dhe golat e Araujo dhe Ferran Torres. Ishte një dominim absolut nga Barcelona, por Real Madridi, pavarësisht kësaj humbjeje turpëruese para tifozëve të vet, mbetet në krye, +9 pikë nga vendi i dytë.

Madrilenët nuk mund të justifikohen për humbjen e thellë me mungesën e sulmuesit dhe kapitenit të tyre, Karim Benzema. Ançeloti luajti kartën Modriç si 9 false, me Vinicius dhe Valverde nga krahët, kurse Rodrigo fillimisht zuri vendin e kroatit në mesfushë. Ter Shtegen bëri një pritje vendimtare që në fillim, ashtu si dhe kolegu i tij Kurtua.

Ndeshja u zhbllokua pas gati 30 minutash lojë, kur Dembele krosoi nga e djathta dhe Aubamejang devijoi saktë me kokë. Barcelona e vuri më pas në vështirësi Realin dhe 3 minuta më pas erdhi goli i dytë me mbrojtësin Araujo, që shënoi me kokë. Ançeloti e nisi pjesën e dytë me ndërrime, duke hedhur në fushë Kamavingën dhe Diaz.

Ferran Torres gaboi fillimisht përballë Kurtua, por më pas korrigjoi gjithçka dhe 0-3. “Pokeri” u firmos nga Aubamejang, ndërsa te Reali shpëton vetëm portieri belg, pa të cilin fitorja e katalanasve do të ishte më e thellë. Tani Ksavi mund të ëndërrojë për vendin e dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë