Kombetarja

Video/ Balaj dhe Roshi optimistë: Lituania nuk na tremb, duam pikë

Bekim Balaj dhe Odise Roshi ishin dy lojtarët që dolën përpara mediave pas fitores që Shqipëria ka regjistruar kundër Bjellorusisë në transfertë. Sulmuesi që luan me Sturm Graz është shprehur se dëshira është e madhe për të luajtur nga minuta e parë për Kombëtaren, por gjithçka e vendos trajneri. “Dëshira është e të gjithëve që të luajmë si titullarë, por kjo nuk varet nga ne. Në fund fituam dhe na kënaq të gjithëve. Pak rëndësi ka sa minuta sa na jepet mundësia. Unë jam i gatshëm të jap maksimumin.

Ishte një fitore e rëndësishme për ne, jashtë fushe. Na jep moralin e duhur. Jemi në rrugën e duhur. Nuk kemi shumë kohë të gëzohemi. Le të mendojmë për tre pikët e radhës. Kënaqësia është e madhe të shënosh, kudo. Na mungon goli në stadiumin tonë. Gëzimi i golit nuk është i njëjtë pa tifozët. E rëndësishme është të fitojmë ndeshjen e radhës, pak rëndësi ka kush shënon”.

Odise Roshi një nga lojtarët e përzgjedhur nga trajneri Edy Reja për t’i dhënë ritëm tjetër kombëtares në pjesën e dytë tha në konferencë për shtyp se si gjithë lojtarët edhe ai dëshiron të luajë nga minuta e parë te Kombëtarja, por për këto vendos trajneri dhe ai i respekton të gjitha vendimet e Rejës.

“Është kënaqësi të fitosh në Bjellorusi. Nuk ishte e lehtë, por ne u paraqitëm shumë mirë. Luajmë me Lituaninë dhe le të marrim edhe tre pikë të tjera, duke e vlerësuar kundërshtarin. Le të marrim edhe tre pikë të tjera dhe të shohim për takimin e radhës.

Normalisht çdo lojtar do të luajë nga fillimi. Ne bëjmë detyrën dhe trajneri vendos. Sigurisht kënaqësia është të luash nga fillimi. Ekipi është në gjendje të mirë, fituam. Fizikisht jemi mirë. Rëndësi ka të fitojmë. Unë jap maksimumin tim, luajmë për veten, kombin dhe gjithë shqiptarët. Kjo pavarësisht se ku luaj”.

https://www.youtube.com/watch?v=eoKTedMF_ZE

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë