Kishte ende flokë dhe në fanellë mbante numrin 14, që në futboll të gjithë e lidhin me legjendën holandeze, Johan Krojf. U fut në fushë në minutën e 63-të, në vend të numrit 10, Korentin Martins, i cili sot është trajneri i Mauritanisë dhe nuk është se ka lënë gjurmë në historinë e futbollit. Kurse Zinedin Zidan po, madje gjurmë të jashtëzakonshme.
Në 17 gushtin e 25 viteve më parë debutonte me fanellën e Francës “Zizu”. Ishte 22 vjeç, luante me Bordonë dhe ishte një nga të rinjtë që trajneri Aime Zhake kishte grumbulluar në kombëtaren e shkatërruar nga bullgari Kostadinov, i cili e kishte lënë jashtë Botërorit të Amerikës. Kushedi, nëse e grumbulloi vetëm se luhej në Bordo atë 17 gusht të 1994-ës ndaj Republikës Çeke. Loja nuk po shkonte mirë. Në fushë për Francën ishin Kantona, Desai, Turam, Blank, Zhinola, por Franca po humbte 2-0, me gola të Tomas Skhuravit dhe Smejkal. Pastaj hyri në fushë Zidan, për më shumë se 20 minuta, duke lënë shenjën e tij me dy numra ta pastër të stilit të tij. Debutim me dy gola.
Në minutën e 85-të mori një pasim në gjysmëfushën kundërshtare, nuk e ndaloi dhe kështu shmangu një kundërshtar, më pas mjë driblim për të shmangur një tjetër, pastaj një e majtë potente në hyrje të zonës dhe topi në rrjetë. Pas 2 minutash, Angloma kroson nga goditja e këndit, Zidan gjuan me kokë dhe topi kalon poshtë traversës: 2-2. Një gol i ngjashëm me atë që Zidan shënoi në finalen e Botërorit të 1998-as ndaj Brazilit. Atë sezon “Zizu” luajti vetëm 2 ndeshje të tjera, kurse sezonin pasardhës shpërtheu me Bordonë, duke eliminuar edhe Milanin në Kupën UEFA. U bë titullar i padiskutueshëm i Francës.

17 gushti nuk është një datë e zakonshme, sepse po në këtë datë ka debutuar edhe një tjetër numër 10 i jashtëzakonshëm. Më 17 gusht të 2005-ës ka debutuar me Argjentinën Leo Mesi, shënuesi më i mirë i kësaj skuadre, por pa trofe. Ishte 18 vjeç dhe ai hyri në fushë në të njëjtën minutë si Zidan, në një miqësore ndaj Hungarisë. Mbante numrin 18 dhe zëvendësoi Lisandro Lopez, por i shkoi shumë keq, sepse u ndëshkua me karton të kuq pas 40 sekondash, për shkak të një goditjeje me bërryl ndaj Vanczak, i cili po e mbante nga fanella. Po i drejtohej zonës kundërshtare, ashtu si Zidan 11 vjet më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.