Futboll

Vidal dhe Rakitiç i ofrohen Interit, Konten e tërbon pritja për sulmuesin

Pritja e trajnerit Antonio Konte dhe tifozëve të Interit vazhdon. Ditët kalojnë dhe sulmuesit e kërkuar nuk po vijnë. Interi po merr formë gradualisht, por pa pasur qartësi në majën e sulmit dhe kjo është jo pak shqetësuese për Konten. Marota dhe Auzilio janë kthyer para kohe nga Kina në Itali për të mbyllur çështjen e sulmuesit ekspert që kërkon trajneri.

A do të jetë ky sulmues Edin Xheko? Orët e fundit duket sikur klubi zikaltër për bën gjithçka për të marrë boshnjakun. Shpresohet shumë për një akord me Romën, që në miqësoren e fundit e gradoi kapiten Xhekon, duke treguar se synon ta mbajë futbollistin, ose kërkon të rritë “pazarin” sa më shumë. Interi nuk pranon të japë më shumë se 15 milionë dhe me siguri nuk do të shkojë te 20 milionët e kërkuar nga verdhekuqtë për një lojtar 33-vjeçar, të cilit i skadon kontrata vitin e ardhshëm. Nëse nuk vjen Xheko, alternativa është Lorente, spanjolli që është pa kontratë dhe që ka profilin e duhur për Konten.

Edin Xheko, sulmuesi i kërkuar nga Interi

Për profilin "sulmues i ri i perspektivës’ është kandidat Rafael Leao, braziliani që pëlqehet nga drejtuesit, por për trajnerin nuk është përparësi. Ai që kërkon Konte duhet të ketë disa vite më shumë dhe patjetër më shumë përvojë. Konte është i fiksuar me 26-vjeçarin Lukaku, por Interi nuk ofron më shumë se 75 milionë euro dhe tani gjithçka e ka në dorë Mançester Junajtid. Nëse edhe kjo pistë bie poshtë, zikaltërit janë të detyruar të kalojnë te Duvan Zapata, i vlerësuar 55 milionë euro nga Atalanta.

Kuptohet qartë se çështja e sulmuesit të ri të Interit varet edhe nga Ikardi, ku situata nuk po zhbllokohet, apo dhe nga shitja e mundshme e Perisiçit. Por ka edhe një çështje tjetër, ajo e Naingolanit në mesfushë. Belgu ka krijuar një vrimë të madhe në mesfushë dhe për këtë janë të vetëdijshëm jo vetëm tek Interi, por edhe te Barcelona. Po, edhe te Barcelona, që ka një mesfushë të mbipopulluar dhe kërkon të sistemojë Vidalin dhe Rakitiçin. Për këtë arsye, “Mundo Deportivo” shkruan se të dy këta futbollistë i janë ofruar Interit. Janë të dy lojtarë që pëlqehen nga trajneri Konte, por ky i fundit në këtë moment nuk e ka aspak mendjen te mesfusha, sepse duhet të zgjidhë në mënyrë urgjente çështjen e sulmit. Më pas mund të mendojë për Vidalin, ose Rakitiçin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë