Drejtësia

Foto/ Vettingu shkarkon gjyqtaren Shefkie Demiraj, nuk justifikoi pasurinë

Gazeta Si - Gjyqtarja e Tiranës, Shefkie Demiraj është shkarkuar këtë të mërkurë nga komisioni i Vettingut.

KPK e shkarkoi gjyqtaren, pasi ajo nuk e justifikoi pasurinë e saj.

Komisioni i Vettingut ka konstatuar se gjyqtarja nuk justifikon plotësisht me burime të ligjshme të ardhurash një shtëpi tre kate + papafingo në Tiranë ndërtuar gjatë periudhës 1998-2012, me sipërfaqe rreth 461 m2 dhe me vlerë të deklaruar 20 milionë lekë.

Komisioni konstatoi gjithashtu edhe pamundësi financiare për blerjen e një automjeti tip “Benz” në vitin 2014, kundrejt çmimit 950 mijë lekë.

Gjatë seancës dëgjimore që zgjati për rreth pesë orë dy ditë më parë, gjyqtarja dha shpjegime për barrën e provës për pasurinë dhe gjetjet në kriterin profesional. Ndërkohë, Demiraj u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Demiraj është dhe një nga gjyqtaret që ka marrë pjesë në procesin gjyqësor në dosjen e Gërdecit, së bashku me Fatmira Hajdarin dhe Ridvan Hadon.

Shkarkimi nga detyra si gjyqtare nga Vettingu, ka krijuar trishtim për Shfekie Demirajn, por edhe për familjarët e saj, të cilët e kanë shoqëruar në seancë. Pas vendimit për shkarkim, shihet djali i saj, i cili i hedh dorën mbi supe mamasë së tij për ta ngushëlluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë