Rend dhe Ligj

“Vettingu” mund të përfundojë në Strasburg

Organet e Vettingut nuk kanë ndjekur një procedurë të unifikuar sa u takon vlerësimeve për gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kaluar në sitën e rivlerësimit pasuror, profesional dhe lidhjeve me persona të papërshtatshëm.

Në këtë përfundim ka mbërritur një raport i Institutit të Studimeve Politike. Raporti në fjalë vëren se një analizë e detajuaar e praktikave të ndjekura, qoftë proceduriale, qoftë përmbajtësore krijon debat nëse ka patur standarde të njëjta vlerësimi dhe nëse procedurat ligjore dhe kushtetuese janë respektuar në tërësinë dhe thellësinë e interpretimit të tyre.

Nisur nga ky fakt pritet që një numër i caktuar subjektesh që janë shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit t’i drejtohen Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

“Prej disa muajsh në Tiranë janë krijuar ekipe ekspertësh, kryesisht italianë, asistues për ankimime të tilla dhe me siguri, do të ketë ndjekje të kësaj procedure në 2019 ose në të ardhmen. Në intervistat dhe anketimet që kemi zhvilluar me disa ekspertë të së drejtës, përfshirë anëtarë të stafeve akademike në fakultetet juridike dhe në institucione të ndryshme të së drejtës, janë cituar raste të veçanta të vendimeve të KPK, apo KLA që sipas tyre, përbëjnë cenim të të drejtave dhe lirive personale të subjekteve të rivlerësimit dhe një bazë e mirë për ankimim në Strasburg”, thuhet në raportin e ISP-së.

Mënyra se si është konceptuar drejtësia e re, në kuadër të reformës së miratuar dy vite e gjysmë më parë, kërkon një bazë të shëndoshë burimesh njerëzore. Por, ISP vëren se burimet njerëzore janë të kufizuara.

“Sidomos në sektorë ku kërkohet një CV e gjatë profesionale dhe kritere të forta konkurrimi. Reforma e re në drejtësi nuk e ka marrë në konsideratë këtë fakt, ndaj edhe shpesh një numër vendimesh, emërimesh, zgjedhjesh kontestohen, ose etiketohen për shkak të lidhjeve që rreth 40 për qind e tyre kanë brenda familjeve individë me angazhime paralele në gjyqësor ose prokurori, pra brenda sistemit, ose jashtë sistemit, në politikë dhe institucionet e mandatuara politike. Për pasojë, është e pritshme që për këto raste të ketë debate, kontestime dhe etiketime, apo që koncepti i pavarësisë të lexohet si koncept i pavarësisë relative”, vëren raporti.

ISP thotë se në vrojtimin e saj ka gjetur ndikime politike, familjare, lobuese e promovuese, madje edhe fushata denigruese në media të caktuara nga biznesi apo grupe të tjera me ndikim e peshë në vendimarrje.

“Partitë politike, qeveria, grupet e juristëve dhe ekspertëve të nivelit të lartë të angazhuar në reformën në drejtësi, grupet lobuese juridike në shoqërinë civile apo organizimin e vetë gjyqtarëve e prokurorëve, etj, kanë preferencat e tyre dhe vijojnë të jenë aktive për të promovuar njerëzit e tyre besnikë në postet e reja në sistem ose anasjelltas, për të denigruar apo etiketuar ata që nuk bëjnë pjesë në rrethin e tyre të besuar”, gjen raporti.

Të gjitha këto e vendosin në pikëpyetje nëse sistemi i ri do të përmbushë misionin dhe pritshmëritë që kanë shqiptarët për të.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë