Rend dhe Ligj

Vettingu, KPK pezullon shortin e dosjeve deri në ngritjen e SPAK

Deri në muajin shtator Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur që të pezullojë procedurën për hedhjen e shorteve për procesin e vlerësimit kalimtar të prokurorëve e gjyqtarëve; të njohur ndryshe si proces i vettingut.
Asnjë dosje e re për rivlerësim nuk do të hapet nga KKP për muajt maj, korrik dhe shtator të këtij viti, për shkak të ngarkesës së madhe që ka në shqyrtimin e dosjeve. Sipas vendimit të firmosur nga kryetarja Genta Tafa, zhvillimi i procedurave të rivlerësimit dhe kryerja e hetimit administrativ të thelluar kërkon më shumë kohë për t’u realizuar në mënyre efiçente. Shpërndarja e çështjeve të tjera, ndërkohë që po shqyrtohen 187, do të sillte një ngarkesë aq të madhe sa do të rrezikonte cilësinë e procesit.
Sipas KPK, ngarkesa e madhe aktuale, procedurat e përshpejtuara për krijimin e SPAK dhe Gjykatës Kushtetuese, e bëjnë të pamundur shqyrtimin e dosjeve të reja.
“Aktualisht janë në procedura rivlerësimi 115 çështje nga viti 2018 dhe 72 çështje, të cilat janë shpërndarë me procedura të shortit gjatë periudhës janar-mars 2019. Pjesë e këtyre çështjeve tashmë të shpërndara, janë edhe subjektet e rivlerësimit që janë kandidatë për Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe Gjykatën Kushtetuese. Procesi i rivlerësimit për këta të fundit është një çështje me përparësi dhe duhet të përfundojë brenda sa më të afërt”, thuhet në këtë vendim. Dosjet e mbartura pezull kërkojnë një hetim të thelluar administrativ, ku sipas KPK-së, vlerësohet si tepër e rëndësishme përfundimi i procedurave të rivlerësimit për këto çështje, si dhe të çështjeve për ngritjen e organeve të reja të drejtësisë.

Vendimi i KPK-së


Nisur nga kjo situatë KPK, sipas vendimit nr.29, do të pezullojë shortin e parashikuar sipas procedurës së parashikuar në Rregulloren e këtij institucioni për t’u hedhur më 15 maj, ku ishte parashikuar shpërndarja e 36 çështjeve të reja mes komisionerëve për rivlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit si shkallë e parë e vlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka gjithsej 12 komisionerë.

Procesi për ngritjen e SPAK dhe të Gjykatës Kushtetuese
Ngritja e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, e njohur ndryshe si SPAK, por edhe plotësimi me anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, po zgjatet në kohë pa afat. Ky është mendimi i organizatave joqeveritare që monitorojnë procesin e ngritjes së institucioneve të reja.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë regjistroi 28 kandidatë për SPAK-un. Sipas Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, aktualisht nga 24 prokurorë që janë në garë për ngritje në detyrë në Prokurorinë e Posaçme të kualifikuar nga KLP, vetëm 4 prej tyre janë konfirmuar me vendim të formës së prerë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendimet e 2 prej të cilëve janë ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Për të gjithë kandidatët e tjerë kanë filluar procedurat e rivlerësimit sipas shorteve respektive dhe në kuadër t të rivlerësimit me përparësi, pritet përfshirja e tyre në kalendarin e seancave dëgjimore.

Arjan Dyrmishi, drejtori i CSDG


“Këto tregojnë për një proces të ngadalshëm për krijimin e Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme. Faktikisht me krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në dhjetor të vitit të kaluar pritej që të kishte një kalendar më të qartë që faktikisht nuk po shpaloset. KLP ka arritur që të jetë më i parashikueshëm, pasi i ka përcaktuar kriteret për përzgjedhjen e prokurorëve, kjo do të përbente fillimin e Vettingun, e për përzgjedhjen e drejtuesit të prokurorisë së posaçme dhe më pas ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Të gjitha këto tregojnë se procesi nuk është se po ecën me shpejtësinë e duhur, nga ana tjetër ka një problem që ka të bëjë me paralelizëm e këtyre e proceseve, se edhe Gjykata e Posaçme duhet të ecë, për vettimin e tyre”, do të shprehej Arjan Dyrmishi, drejtuesi i kësaj qendre.

Institucionet e reja të drejtësisë si SPAK ishte parashikuar të ngriheshin në shkurt të këtij viti, por ky proces është shtyrë në kohë. Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi në një intervistë televizive ka theksuar se nuk ka ndonjë afat për ngritjen e SPAK dhe se vlerësimi i KLP për kandidatët përfundon më 6 qershor.

Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi

“Këshilli në tërësinë e vet ka 3 javë kohë për të finalizuar vlerësimin, një vlerësim që do të bëhet me pikë. Këtu e mbaron punën e tij Këshilli. Këshilli ka hapur 15 vakanca. Do t’i rendisë të 25 kandidatët sipas meritës dhe këtu mbaron puna jonë. Por nuk krijohet ende SPAK-u, sepse ligji thotë që të krijohet Prokuroria e Posaçme, të gjithë ata kandidatë që ka vlerësuar KLP, duhet ta kenë kaluar vetting-un, në të dyja fazat e tij. Se sa kohë do t’i duhet vetting-ut për t’i trajtuar këta kandidatë, në të dyja shkallët, është një çështje që nuk mund t’i përgjigjem”, do të deklaronte Ibrahimi për TV KLAN.

Sipas tij, kalimi i procesit në disa filtra për kandidatët për anëtarë të SPAK janë edhe arsyet e zgjatjes në kohë të këtij procesi. Prokuroria e Posaçme mund të ngrihet edhe me 10 anëtarë, nga 15 që parashikohet të ketë në total kjo strukturë e re që parashikon të hetojë zyrtarët e korruptuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë