Shendet

Vetmia, po aq e rrezikshme sa duhani

Vivek Murthy, mjek i përgjithshëm në Shtetet e Bashkuara, tha se Amerika po përballet me një epidemi vetmie që është po aq e rrezikshme për shëndetin sa pirja e 15 cigareve në ditë.

Gjatë një interviste Murthy tha se ai qëndron cdo ditë në mesin e miliona amerikanëve që kanë përjetuar një "ndjenjë të thellë vetmie".

Autoritetet shëndetësore amerikane po bëjnë thirrje që izolimi social të trajtohet po aq seriozisht sa obeziteti apo abuzimi me drogën pasi gati 50% e të gjithë amerikanëve mendohet se janë prekur.

Murthy tha se betejat e tij me vetminë erdhën menjëherë pas fillimit të punës si Kirurg i Përgjithshëm në prill 2017.

“Kisha neglizhuar familjen dhe miqtë e mi gjatë asaj kohe, duke menduar se ishte shumë e vështirë të përqendrohesha në punë dhe të fokusohesha te familja dhe miqtë”, tha ai.

“Po vuaja vërtet nga pasojat e kësaj, të cilat ishin një ndjenjë e thellë vetmie që më ndoqi për javë të tëra, të cilat shtriheshin në muaj”.

Vetmia raportohet se rrit rrezikun e vdekjes së parakohshme me pothuajse 30%, përmes problemeve shëndetësore duke përfshirë diabetin, sulmet në zemër, pagjumësinë dhe demencën.

Mungesa e lidhjes sociale lidhet gjithashtu me arritje më të ulëta akademike dhe performancë më të keqe në punë.

Murthy tha se vetmia është një "sfidë e madhe e shëndetit publik për të cilën ne duhet të flasim dhe ta trajtojmë”.

“Rreziku i shtuar i vdekjes së parakohshme që lidhet me vetminë është në të njëjtin nivel me rreziqet që shohim nga pirja e duhanit çdo ditë, dhe më i madh se rreziku që shohim të lidhur me obezitetin”, tha ai.

Për të trajtuar këtë, Murthy ka bërë thirrje për një përpjekje kolektive për të "përmirësuar strukturën shoqërore në mënyrë që të destigmatizohet vetmia dhe të ndryshohet reagimi kulturor dhe politik ndaj saj”.

Strategjia e tij ka gjashtë shtylla që përfshijnë përpjekjet për të forcuar infrastrukturën sociale në komunitete, pjesërisht duke përdorur sistemet e shëndetit publik.

Për më tepër, Murthy tha se ka "hapa që mund të ndërmarrim si individë", të tilla si kalimi i 15 minutave me të dashurit, shmangia e shpërqendrimeve të tilla si pajisjet gjatë bisedës me njerëzit, "dhe kërkimi i mënyrave për të ndihmuar njëri-tjetrin".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë