Dosje

Vetëvritet në Itali krahu i djathtë i ‘Mbretit të drogës’, Elvis Demçe. Para një muaji theu arrestin shtëpiak

Gazeta Si – Alessio Lori, krahu i djathtë i bosit shqiptar të trafikut të drogës në Itali, Elvis Demçe, u gjet i vetëvrarërë në një apartament të marrë me qira “air B&B” në Via Tripoli në Romë, në lagjen afrikane dhe me armën ende pranë tij.

Sipas mediave italiane, Lori, 34 vjeç në janar, ishte në arrati prej një muaji, pasi shpëtoi nga arresti shtëpiak duke prerë byzylykun elektronik. Pasi kanë përfunduar të gjitha hetimet, grupi hetimor ka përjashtuar mundësinë e vrasjes.

Por vdekja e krahut të djathtë të bosit të fuqishëm shqiptar, i cili ndodhet në burg, sjell me vete shumë reflektime të nevojshme për krimin në kryeqytetin italian.

I njohur ndryshe si ‘Chiappa’, ai ishte në pritje të dënimit përfundimtar për “pjesëmarrjen në blerjen dhe shpërndarjen me shumicë të lëndëve narkotike” në Romë.

Megjithatë, pasi u arrestua verën e kaluar për një episod të ri të lidhur me drogën, ai u la në arrest shtëpie, ku përveçse nuk mund të kryente më krime, ndoshta do të ishte e mundur ta mbrohej më mirë nga frika e hakmarrjes, e cila është një nga arsyet e mundshme të vetëvrasjes.

Arma me të cilën ai vrau veten ka numrin serial të gërvishtur, por policia po heton të gjejë origjinën e saj. Ashtu siç po hetohen edhe lëvizjet e Lorit këtë muaj, të fundit në jetën e tij kriminale.

Nga krimet e rrugës në Centocelle, Lori kishte menaxhuar shpërndarjen e lëndëve narkotike në sheshin Tor Bella Monaca me Arben Zogun, një tjetër shqiptar me rol kryesor në krimin e organizuar roman.

Nga ana tjetër, Elvis Demçe është trafikanti më i njohur shqiptar në Itali, i cili e shpalli veten ‘Mbret i drogës’, ndërsa kërkonte të merrte të gjitha pushtetet e ‘botës së nëndheshme të krimit’.

Demçe, i cilësuar si "Mbreti i Gomorrës" shqiptare në Romë, i lidhur në të kaluarën me Fabrizio Piscitelli, alias “Diabolik”, kryetifozi i Lacios, i vrarë më 7 gusht 2019 në Parco degli Acquedotti, u arrestua së bashku me Matteo Costacurta-n dhe Alessandro Corvesi-n në korrik 2022 në Ostia për plagosjen e italianit Alesio Marzani.

Në përgjime, kreu shqiptar i bandës kriminale në Romë e krahason veten edhe me ish-trafikantin kolumbian të drogës, Pablo Escobar.

Mes dëshirës për të zgjeruar biznesin e paligjshëm të drogës, Demçe kishte rivalin e tij, Ermal Arapaj, me nofkën “Ufo”. Urrejtja mes të dyve ishte e madhe, saqë Demçe planifikoi disa sulme kundër rivalit të tij.

Mediat italianë raportuan se lufta mes të dyve, u shndërrua në një “Gomorra” shqiptare, që mund të kishte përfunduar e përgjakshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë