Dosje

Itali / Prokuroria kërkon 21 vite burg për ‘Mbretin e gomorrës’ shqiptare në Romë, Elvis Demçe

Gazeta Si - Prokuroria e Romës ka kërkuar dënimin me 21 vjet në gjyqin ndaj trafikantit shqiptar të drogës Elvis Demçe, i akuzuar me katër persona të tjerë për tentativën e vrasjes së Alessio Marzani, 45-vjeçari i plagosur me armë zjarri më 22 tetor 2020 në Acilia.

Demçe, i cilësuar si "Mbreti i Gomorrës" shqiptare në Romë, i lidhur në të kaluarën me Fabrizio Piscitelli, alias “Diabolik”, kryetifozi i Lacios, i vrarë më 7 gusht 2019 në Parco degli Acquedotti, u arrestua së bashku me Matteo Costacurta-n dhe Alessandro Corvesi-n në korrik të vitit të kaluar në Ostia për plagosjen e italianit Alesio Marzani.

Ky i fundit kishte bërë 4 vite burg për vendosje gjobash dhe pas lirimit kishte kërcënuar njërin nga anëtarët e bandës së shqiptarit. Demçe merr menjëherë përsipër eliminimin e tij fizik, por pa ia arritur.

“Vëlla këta janë luanët e mi. Unë kam një ekip prej 6 luanësh. Unë qëlloj në kokë edhe Papën nëse më bezdis”, – janë fjalët e shqiptarit të dala nga përgjimet.

Sipas mediave italiane, deshifrimi i disa bisedave të koduara me sistemin 'Sky-Ecc' dhe të përfshira në një server në territorin francez, ishte thelbësor për hetimet  e antimafias së Romës.

Në përgjime, kreu shqiptar i bandës kriminale në Romë e krahason veten edhe me ish-trafikantin kolumbian të drogës, Pablo Escobar.

Mes dëshirës për të zgjeruar biznesin e paligjshëm të drogës, Demçe kishte rivalin e tij, Ermal Arapaj, me nofkën “Ufo”. Urrejtja mes të dyve ishte e madhe, saqë Demçe planifikoi disa sulme kundër rivalit të tij.

Mediat italianë raportuan se lufta mes të dyve, u shndërrua në një “Gomorra” shqiptare, që mund të kishte përfunduar e përgjakshme.

Ajo u ndal me arrestimin e tyre, në fillim të Ermal Arapajt dhe më pas të Demçes. Prokurorët Mario Palazzi dhe Francesco Cascini kërkuan gjithashtu dënimin me 21 vjet për Daniele Gallarellon, 18 vjet për Alessandro Corvesi, 35 vjeç me të kaluar si futbollist profesionist dhe 14 vjet për Matteo Costacurta, me origjinë fisnike dhe për këtë arsye të quajtur  “Princi”.

“Është një grup me një profil me kapacitet shumë të lartë kriminal dhe rrezikshmëri shoqërore”, tha prokurori Palazzi në sallën e gjyqit, i cili i kushtoi një pjesë të aktakuzës së tij Costakurta-s, duke e cilësuar atë si një “personazh shqetësues”.

“Nuk ka nevojë të bëjë krime për arsye ekonomike, ka para dhe familje të mirë, nuk është i varfër, mund të bëjë një jetë të mirë, dhe përkundrazi ai bën krime për qejf, për shijen e tij personale”. Siç del nga dosja hetimore, "ai është i pushtuar nga idetë e tij antidemokratike dhe e cilëson veten me krenari si fashist".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë