Kosova

‘Vetëm si reagues i tretë’. Përse KFOR nuk mund ta marrë nën kontroll veriun e Kosovës

Nga Gazeta ‘Si’ - Që nga konflikti i armatosur i të dielës së 24 shtatorit në Bansjkë ku u vra një efektiv dhe u plagosën dy të tjerë, u nxitën polemikat këtej e matanë kufirit nëse KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës.

I pari që bëri apel duke ngjallur jo pak zëra kundërshtues ishte kryeministri Edi Rama i cili deklaroi se KFOR-i duhet ta marrë në kontroll për të stabilizuar situatën.

Por kjo nuk u prit fort mirë nga politika në Kosovë e cila deklaratën e Ramës e quajti kërkesë “të stërvjetëruar të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç”.

“Kjo tejkalon kompetencat e policisë së Kosovës”

Si shtet i pavarur dhe sovran, ndërhyrja e KFOR në një situatë të tillë do të kalonte kompetencat e policisë së Kosovës. E para që përgjigjet është policia, pastaj EULEX-i (misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit)dhe më pas KFOR-i.

Kjo është një skemë që nuk ka pse të ndryshojë për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti i cili theksoi se Kosova ka nevojë vetëm për patrulla të përbashkëta nga policia e Kosovës dhe KFOR-i në kufirin me Serbinë.

Të njëjtin qëndrim përsëriti edhe Xhelal Sveçla, ministri i Brendshëm i Kosovës. Sipas tij, Policia e Kosovës është e aftë të menaxhojë situatën në 4 komunat veriore me shumicë serbe.

“Nuk ka nevojë KFOR-i që të marrë nën kontroll asgjë. Kemi policinë e Kosovës e cila po tregohet si një nga institucionet më të suksesshme të shtetit të Kosovës. Ajo po mbron sovranitetin dhe integritetin suksesshëm.

Në kemi një vështirësi për sa i takon vijës kufitare apo zonës së gjelbër për shkak të marrëveshjes së Kumanovës e cila thotë se policia e Kosovës duhet të mbajë një distancë prej 1 km nga vija kufitare dhe prandaj kryeministri i Kosovës ka thënë se është mirë që brenda këtij shiriti të ketë patrullime të përbashkëta me KFOR-in, por nuk bëhet fjalë për menaxhimin e situatës në 4 komunat e veriut të Kosovës”, deklaroi ai.

Banjskë, fshati ku u rindezën trazirat

Misioni i KFOR-it në Kosovë konfirmoi se ishte i gatshëm për të ndërhyrë pas sulmit terrorist mbi Policinë e Kosovës në Banjskë, në rast se ajo do t’i kërkohej.

Në deklaratën e tij, thuhet se trupat e KFOR-it kanë qenë në vendin e ngjarjes, por ishin në bashkëpunim me institucionet e tjera të sigurisë.

Megjithatë, Rama u ktheu përgjigje në distancë kritikave të Prishtinës Zyrtare duke theksuar se KFOR është strukturë e NATO-s dhe nuk punon për llogari të Serbisë.

“Unë e thashë qartë dje se këtë kërkesë e ka bërë edhe Presidentja Osmani dhe e shpjegova më tej se kjo që kërkoj sot nuk ka lidhje me atë çka kam shprehur disa muaj më parë, si frikë se mund të ndodhë nëse situata degradon, në mungesë të rezultateve të dialogut. Sepse, siç e shpjegova edhe dje, ‘nuk jemi akoma aty’ dhe që të mos shkohet nesër deri aty, duhet që KFOR-i të marrë në kontroll veriun një orë e më parë”, deklaroi ai.

Por presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani hodhi poshtë reagimin e tij.

“KFOR vetëm si reagues i tretë”

Në një reagim Osmani tha se Policia e Kosovës ka mandat të plotë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa me NATO-n, ka bashkëveprim dhe koordinim të ngushtë, siç e dëshmon sipas saj edhe reagimi e operacioni policor gjatë sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.

“Pra, nuk bëhet fjalë për marrjen e kompetencave sovrane të institucioneve të sigurisë së Kosovës nga KFOR-i, por për mbështetjen e institucioneve të Kosovës në ndalimin e agresionit nga Serbia”, thuhet në reagim e saj.

Shtim të forcave ushtarake serbe në kufi, NATO miraton forca shtesë

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby tha se Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë një grumbullim të madh ushtarak të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, që përfshin artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara, të cilin ai e quajti "të pashembullt".

"Ky është një zhvillim shumë destabilizues, që ka ndodhur gjatë javës së fundit", tha Kirby.

Ai tha se nuk ka ndonjë informacion më të hollësishëm lidhur me arsyet për këtë grumbullim në kufi, por shtoi se po e ndjekin situatën dhe duhet të nxitin serbët përmes kanaleve diplomatike që t'i tërheqin ato trupa, “sepse edhe vetëm nga shtrirja, përmasat e tyre dhe prania e tyre, gjendja është mjaft destabilizuese”, tha ai.

NATO njoftoi të premten (29 shtator) se ka miratuar forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - për shkak të rritjes së tensioneve.

"Ne gjithmonë do të sigurojmë që komandanti ynë t’i ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm, në mënyrë që KFOR-i ta përmbushë mandatin e tij", tha përmes një deklarate sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

"Që nga maji e kemi shtuar praninë e KFOR-it. Vetëm dje, më 28 shtator, Këshilli i Atlantikut të Veriut miratoi forca shtesë për zgjidhjen e situatës aktuale", theksoi më pas deklarata por nuk specifikoi se sa forca shtesë janë miratuar.

Cilat janë kompetencat e NATO-s në Kosovë?

Dikur rreth 50.000, sot afër 4.000 paqeruajtës të misionit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), KFOR, vazhdojnë misionin e tyre në Kosovë.

Trupat e KFOR-it, që janë nga 27 shtete të botës, kanë për detyrë që të ofrojnë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Mandati i tyre buron nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 10 qershor 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Teknike të Kumanovës.

Kjo marrëveshje parashikonte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare. Ajo u nënshkrua midis KFOR-it dhe autoriteteve të ish-Jugosllavisë, duke i dhënë fund bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.

Çfarë thotë rezoluta 1244 për misionin e KFOR-it?

Në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së thuhet se prania ndërkombëtare e sigurisë, e cila do të ketë pjesëmarrje të konsiderueshme të forcave të NATO-s, “duhet të vendoset nën një komandë dhe kontroll unik dhe të autorizohet për ta krijuar një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë si dhe ta lehtësojë kthimin e sigurt të te gjithë refugjatëve dhe të personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre”.

Përveç detyrave fillestare, më 2008, NATO u pajtua që misioni i saj në Kosovë të kishte disa detyra shtesë, në koordinim me institucionet e rëndësishme në Kosovë.

Ndër detyrat e reja që iu dhanë misionit ishte edhe të asistonte në krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe trajnimin e pjesëtarëve të kësaj force.

“FSK është një forcë vullnetare e armatosur lehtë. Përgjegjësia e parë e saj për detyrat e sigurisë, që nuk janë të përshtatshme për policinë, sikurse përgjigja ndaj emergjencave, shpërthimi i kontrolluar i eksplozivëve, menaxhimi i materialeve të rrezikshme, fikja e zjarrit dhe mbrojtja civile”, thuhet në përshkrimin që i bën KFOR-i FSK-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë