Futboll

Vetëm gjysma e Superiores e licencuar, kambanë e fortë alarmi për futbollin

Për çështjen e licencimit të klubeve shqiptarë në Kupat e Europës është folur shumë muajt e fundit, tani gjithçka është zyrtare. Vetëm 5 skuadra të Superiores mund të luajnë në Europë. Një e dhënë e frikshme, aq më tepër kur mendon se një prej këtyre 5 skuadrave është Skënderbeu, i dënuar me 10 vite jashtë Kupave të Europës dhe që shpreson ta fitojë betejën ligjore në KAS. Praktikisht, skuadrat e licencuara janë katër dhe konkretisht Partizani, Kukësi, Teuta dhe Laçi.

Vetëm gjysma e Superiores e licencuar. Një situatë vërtet kritike, që vërteton problemet e theksuara që kanë klubet tona në këtë moment. Tirana, një skuadër me emër të madh dhe finaliste e Kupës së Shqipërisë, por edhe Flamurtari, një tjetër emër i madh dhe që bëri një kampionat shumë të mirë edhe pa u paguar, nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në Kupat e Europës. Këto dy klube, bashkë me Luftëtarin, nuk plotësojnë kriterin financiar, siç ka bërë me dije në konferencë shtypi shefi i sektorit të licencimit në FSHF, Eduard Gjini. E thënë më qartë: janë klube me probleme të mbartura financiare, me borxhe të vjetra ose me probleme pagesash të padhëna gjatë sezonit që sapo u mbyll. Nga UEFA nuk ka më asnjë tolerim për licencimin e klubeve, aq më shumë në kriterin financiar. Madje, sipas rregullave të fundit, për tre skuadrat që kanë probleme financiare, Tiranën, Flamurtarin dhe Luftëtarin, do të ketë monitorim çdo tre muaj dhe nëse konstatohen probleme, do të merren masa konkrete për heqje pikësh menjëherë.

Nga një ndeshjes me Partizanit dhe Kukësit, 2 nga 5 skuadrat e licencuara për në Europë

Një kambanë e fortë alarmi për futbollin shqiptar. Është e papranueshme që në një kampionat me 10 skuadra, gjysma e tyre të mos arrijnë të licencohen. Është momenti për të vepruar me dorë të hekurt, për të mos i lejuar klubet me probleme që të jenë pjesë e elitës, pasi nuk ka asnjë sens që ata të marrin pjesë në Superiore dhe në fund të mos kenë mundësinë të luajnë në Europë, edhe pse mund ta arrijnë atë me rezultate në fushë. Për momentin, në Europë shkon Laçi, ekipi i vendit të 6-të në kampionat, sepse Flamurtari nuk është licencuar dhe Skënderbeu është i dënuar.

Problemi tjetër është se kjo çështje, dashje pa dashje prish garën, pavarësisht se drejtuesit e FSHF-së këmbëngulin se të gjitha skuadrat u treguan serioze dhe e respektuan garën, duke dhënë maksimumin në fushë. Por nuk është kështu realisht. Klubet me probleme e dinë shumë kohë para mbylljes së kampionatit, nëse nuk janë të licencuar, kështu që fare lehtë mund të tolerojnë në ndeshje të caktuara, duke prishur garën. Me sjelljen e tyre në fushë ato dëmtojnë një skuadër dhe favorizojnë një tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë