Futboll

Vetëm gjobë për Ronaldon, UEFA vepron si në rastin e Simeones

Largohet frika për tifozët e Juventusit: Kristiano Ronaldo nuk është pezulluar nga UEFA për gjestin që ai bëri në festën e golave të ndeshjes me Atletiko Madrid në Champions League. Ylli portugez ia ka hedhur me një gjobë prej 20 mijë eurosh. Lajmi u përhap fillimisht nga mediet sportive në Itali dhe më pas u zyrtarizua nga UEFA.

Komisioni i Disiplinës në UEFA ka vepruar njësoj si në rastin e trajnerit të Atletikos, Digo Simeone, i cili festoi duke treguar organet gjenitale pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë me Juventusin. Një sjellje antisportive, por nuk pati pezullim për trajnerin. Ai u gjobit me 20 mijë euro. Në ndeshjen e kthimit në Torino, Kristiano Ronaldo shënoi 3 gola dhe e kualifikoi skuadrën e tij për në çerekfinale. Edhe ai festoi ashtu si trajneri i Atletikos, duke rrezikuar shumë, por edhe ai ia ka hedhur me gjobën e 20 mijë eurove.

Kristiano Ronaldo feston një nga golat ndaj Atletikos në mënyrën e tij

Qetësohet kështu trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri, para ndeshjeve çerekfinale të Championsit me Ajaksin. Ronaldo është shumë i rëndësishëm për skuadrën italiane, që shpreson të fitojë trofeun këtë sezon. Shorti e ka favorizuar disi dhe tifozët bardhezi presin që Ronaldo t'u dhurojë trofeun prestigjioz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë