Futboll

Vetëgjyqësi absurde, kur tifozët dëmtojnë keq ekipin e zemrës

Jemi në javën e tretë të kampionatit dhe në stadiumin “Loro Boriçi’ u shfaqën të njëjtat pamje të shëmtuara të agresivitetit të tifozëve me sharje në kor dhe hedhjes sendesh të forta në fushë. Ishte shumë bukur të shihje shkallët e këtij stadiumit plot me tifozë, si rrallëherë këto vitet e fundit, por më pas ishte shumë e dhimbshme të shihje që po këta tifozë të bëheshin protagonistë negativë.

Tifozët e Vllaznisë dhe Tiranës e vazhduan aty ku e kishin lënë më shumë se dy vjet më parë, te sharjet në kor dhe dhuna. Tapeti i stadiumit, në pjesën pranë tribunës përballë, u mbush me shishe plastike në disa raste, loja u ndërpre për pak çaste, por ndeshja vazhdoi deri në fund. Tifozë që kalojnë kangjellat, tension mes lojtarëve në fushë, kontestime nga lojtarët e Vllaznisë ndaj gjykimit. Duket një muzikë që nuk ndryshon kurrë, pavarësisht se Kryeministri Rama ka paralajmëruar dënim me burg për ata që shkelin rregullat dhe ligjin, ndërsa FSHF-ja “betohet” se nuk do të tolerojë aspak në këtë aspekt. E njëjta histori, me tifozët që bëjnë vetëgjyqësi dhe reagojnë dhunshëm, edhe pse e dinë shumë mirë se e vetmja gjë që bëjnë këtë rast, është dëmtimi i skuadrës së tyre. Vllaznia do të dënohet, me siguri. Do të humbë tifozët për shumë ndeshje, ndoshta edhe mund të detyrohet të luajë në fushë asnjanëse. E gjitha për shkak të tifozëve të saj…

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, dhe pranë tij shishe të hedhura nga tifozët shkodranë. Gazeta Si, 1 shtator 2019

Ishte një rast penalltie në favor të Vllaznisë, që nuk u vlerësua drejt nga arbitri ndërkombëtar Enea Jorgji. Dakord, ishte penallti. Ishte një gabim i arbitrave, një gabim që duket njerëzor, sepse është e pamundur të mos ketë gabime arbitrare në një ndeshje nga futbolli. Patjetër që edhe vetë Jorgji e ka kuptuar se ka gabuar pas ndeshjes. Ndodh kjo gjë në futboll, por asgjë nuk e justifikon dhunën edhe ndaj atij që gabon. Ka një vetëgjyqësi absurde nga tifozët tanë në stadiume, jo vetëm në Shkodër, por edhe në qytete të tjera. Çfarë kuptimi ka ta kërkosh drejtësinë me dhunë?!

Është një garë dhe skuadrën e zemrës mund ta ndihmosh vetëm duke e mbështetur fuqimisht për 90 minutat e një ndeshje, gjithmonë brenda rregullave. Duhet ta ndihmosh sportivisht, sepse ndryshe e bën të shpërqendrohet nga ndeshja. Vetëgjyqësia thjesht merr në qafë tifozët problematikë, të cilët përfundojnë në komisariat, por edhe skuadrën që dënohet nga Komisioni i Disiplinës në FSHF. Kjo do t’i ndodhë Vllaznisë në këtë moment, klubeve të tjera u ka ndodhur shpesh kohët e fundit për një arsye të vetme: vetëgjyqësinë e tifozëve. Edhe arbitrat mund të dënohen për gabimet e tyre, por sërish Vllaznia në këtë rast dhe tifozët e saj, nuk do të fitojnë asgjë. Përkundrazi, do të dëmtohen jo pak nga ai reagim i egër.

Momente tensioni gjatë ndeshjes Vllaznia-Tirana, 0-2. Gazeta Si, 1 shtator 2019

Vllaznisë mund t’i vijë në “ndihmë” në këtë moment vetëm një “gafë” e Disiplinës, që pas javës së dytë të kampionatit toleroi Tiranën për hedhje të sendeve në fushë dhe goditje të anësorit. Masa ishte shumë e butë, vetëm me gjobë, aq sa edhe vetë klubi bardheblu e quajti dënim të lehtë . Me këtë lloj standardi, Disiplina është e detyruar ta zbusë disi dorën edhe për Vllazninë, por incidentet në Shkodër ishin shumë më të mëdha dhe gjoba nuk mjafton. Sidoqoftë, ajo që shqetëson më shumë ka të bëjë me mentalitetin e tifozëve, që reagojnë ekstremisht, me vetëgjyqësi si me “kanun”, duke ia futur vetes dhe skuadrës së zemrës. Dhe kur ndodh me një tifozëri që shquhet për qytetarinë e saj, siç është ajo e Vllaznisë, nga të tjerat pritet edhe me keq.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë