Drejtësia

Vetëdorëzohet anëtarja e komisionit të prokurimit, akuzohet nga SPAK për inceneratorët

Gazeta Si - Ish-anëtarja e komisionit të vlerësimit të prokurimit për inceneratorët e Fierit dhe të Elbasanit, Etleva Kondi, është vetëdorëzuar në polici.

Emri i saj ishte pjesë e listës me 9 persona, për të cilët SPAK lëshoi urdhër arreste në kuadër të aferës së inceneratorëve.

Policia nuk e gjeti Kondin në shtëpi mëngjesin e 29 marsit pasi ndodhej për kurim në Itali. Mësohet se ajo është arrestuar dje sapo ka zbritur në Rinas.

Nëntë urdhër arrestet e SPAK u ekzekutuan mëngjesin e 29 marsit në qytete të ndryshme të vendit. Një ndër qytetet më të goditura ishte Fieri për shkak të aferës me inceneratorin atje.

Kondi akuzohet për “shpërdorim detyre”, pasi rezulton se ka qenë pjesë e komisionit për miratimin e licencave të inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit.

GJKKO ka dhënë për të masën e sigurisë “arrest shtëpiak”. Pritet rikonfirmimi i masës dhe dërgimi i Kondit në shtëpi ku pritet të qendrojë deri në përfundim të gjykimit nga GJKKO mbi aferën e inceneratorëve.

Më herët, janë arrestuar për këtë aferë edhe nëntë persona të tjerë, mes tyre edhe ish-deputeti socialist, Alqi Bllako.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë