Kombetarja

Veseli: Shqipëria meriton vendin e 2-të, ëndërrojmë një Europian tjetër

Gjasat janë të mëdha që Frederik Veseli të luajë në krah të djathtë të mbrojtjes ndaj Skocisë. Ai shihet si zëvendësuesi më i denjë i Elseid Hysajt të skualifikuar për shkak kartonësh. Mbrojtësi i Empolit, që vjen pas një dëmtimi, ka theksuar para gazetarëve se është plotësisht gati. Sipas Veselit, kuqezinjtë meritojnë vendin e dytë në grup dhe këtë do ta bëjnë realitet, duke fituar të shtunën në stadiumin “Loro Boriçi”:

“Jam plotësisht gati për Kombëtaren, kam punuar shumë. Kemi mungesa, por shpresoj të marrim maksimumin në ndeshjen me Skocinë. Skuadër memece? Në fakt, kemi pësuar gola që mund t’i kishim shmangur. Ka gjëra pozitive dhe negative, por rëndësi ka që të përmirësohemi aty ku kemi gabuar. Shpresoj të gjejmë rrugën e duhur për të pasur sukses. Kam luajtur shumë herë në krahun e djathtë, por nëse do të jem unë apo jo, varet nga vendimi i trajnerit Kristian Panuçi.

Veseli gjatë miqësores me Jordaninë

Individualisht, jemi në një moment shumë të mirë. Grezda ka shënuar dy gola, Gjimshiti dhe Kaçe gjithashtu, ndërsa Mavraj po luan. Shpresoj që ta shfrytëzojmë këtë moment pozitiv për të ecur përpara, për të fituar me Skocinë. Jemi entuziastë dhe me këtë atmosferë besoj se do t’ia dalim. Mendimi im është se Shqipëria meriton më shumë se vendi i 3-të në grup. Dëshira jonë është që të shkojmë përsëri në Europian dhe me shpirtin e grupit mund t’ia dalim. Lojtarët e rinj janë mjaft të mirë.

Duhet ta përgatisim si duhet ndeshjen në varësi të kundërshtarit, të ndjekim udhëzimet e trajnerit. Ne jemi gati për të bërë një ndeshje sa më të mirë me Skocinë. Nuk ka presion në skuadër. Shqipëria ka mentalitetin për të dhënë më të mirën dhe për të marrë vendin e dytë në grup”, - ka theksuar në konferencë lojtari i Empolit, Frederik Veseli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë