Kombetarja

Veseli kalon në Turqi, shpërthejnë me gola Guri dhe Lenjani

Fundjavë interesante për futbollistët e Kombëtares shqiptare. Lenjani dhe Guri janë bërë protagonistë me golat që kanë shënuar për skuadrat e tyre, ndërsa mbrojtësi Frederik Veseli ka lënë Italinë për t’u transferuar në kampionatin elitar të Turqisë.

Pritet vetëm zyrtarizimi i kalimit të mbrojtësit kuqezi, Frederik Veseli, te skuadra e Denizlisporit, që merr pjesë në Superligën turke. Shtypi italian shkruan se Veseli do të largohet nga Empoli, ku është aktivizuar vitet e fundit, madje titullar edhe në Serinë A, për të luajtur në Turqi. Sigurisht, në këtë rast vendos oferta financiare, por edhe fakti që mund të luajë në elitën e futbollit turk dhe jo në Serinë B, ka ndikuar në zgjedhjen e futbollistit kuqezi. Veseli është një nga mbrojtësit e grumbulluar rregullisht me kuqezinjtë dhe në të shumtën e rasteve 26-vjeçari ka luajtur titullar. Para Empolit, Veseli ka luajtur në Angli dhe në Zvicër, ndërsa tani fillon një aventurë të re në Turqi.

Ermir Lenjani me fanellën e Sionit. Gazeta Si, 4 gusht 2019

Protagonistë janë bërë këtë fundjavë me golat që kanë shënuar Ermir Lenjani dhe Sindrit Guri, i pari me Sionin në Zvicër, kurse i dyti me Ostenden në Belgjikë. Lenjani realizoi një gol mjaft të bukur me të majtën, duke i dhënë topit një trajektore pak të çuditshme. Ishte goli i parë i ndeshjes me Zyrihun në kampionat, ku Sioni fitoi 3-1 dhe regjistroi kështu fitoren e parë pas tri javësh. Lenjani vazhdon me paraqitjet e mira dhe te Sioni është një titullar i padiskutueshëm. Lojtari i linjës së majtë është nga kuqezinjtë më në formë për momentin. Në fitoren e Sionit shënoi dy gola edhe Pajtim Kasami, një futbollist me origjinë shqiptare, që ka luajtur për kombëtaren zvicerane.

Guri feston me shokët e ekipit një nga golat e shënuar ndaj Cercle Bryzhit. Gazet Si, 4 gusht 2019

Shkodrani Sindrit Guri po kalon një moment “magjik”. Ai ishte protagonist absolut në fitoren 3-1 të Ostendes ndaj Cercle Bryzhit. Sulmuesi 25-vjeçar shënoi dy gola në këtë ndeshje, e vlefshme për javën e dytë të kampionatit belg, ku skuadra e tij ka marrë pikë të plota deri tani. Guri ka fituar besimin e trajnerit për të qenë titullar dhe po e shfrytëzon në mënyrën më të mirë këtë mundësi. Dy golat e shkodranit janë një sinjal edhe për trajnerin e Kombëtares, Edi Reja, në këtë moment, kur Sadiku pret të sistemohet në një ekip të ri, ndërsa Balaj ka lënë Rusinë për t’u transferuar në Austri. Guri nuk është grumbulluar në ndeshjet e fundit të kuqezinjve, por me formën që gëzon, mund të jetë një alternativë e mirë për sulmin në vazhdim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë