Futboll

Veseli i bën një nder Milanit, i prish punë Berishës e Gjimshitit

Atalanta-Empoli ishte ndeshja që mbylli javën e 32-të të Serisë A. Parashikohej një fitore e ekipit vendës, duke parë formën shumë të mië që po kalonte javët e fundit, por Frederik Veseli me shokë ia kanë bërë Atalantës “malore” Championsin. Ndeshja u mbyll në barazim 0-0 dhe bergamaskët lanë dy pikë të çmuara, që do t’i bashkonin me Milanin në vend të katërt, i fundit që të çon në Champions League. Loja është dominuar nga Atalanta, por portieri i Empolit ishte i pakalueshëm.

Përveçse ka marrë një pikë të çmuar në transfertë dhe tashmë është dy pikë pas Bolonjës rivale në garën e mbijetesës, Empoli i ka bërë një “nder” edhe Milanit, duke mbajtur prapa kuqezinjve Atalantën. Frederik Veseli luajti 90 minuta në këtë ndeshje, por e veçanta është se në mbrojtjen me tre ai kishte kaluar në krahun e djathtë. Ishte një paraqitje e mirë e mbrojtësit kuqezi, ndërsa dy shokët e tij në Kombëtare, portieri Etrit Berisha dhe mbrojtësi Berat Gjimshiti, e ndoqën këtë ndeshje nga stoli i rezervave. Gjithsesi, Atalanta mbetet në zonën europiane. Bergamaskët mbajnë vendin e 6-të, me 53 pikë, dhe me këtë pozicion shkojnë në Europa League.

Nga ndeshja Atalanta-Empoli 0-0

Ai që spikati në Itali fundjavën që lamë pas ishte mesfushori Ledian Memushaj, i cili shënoi një gol shumë të bukur për Peskarën në ndeshjen me Peruxhian, që përfundoi 1-1. Elseid Hysaj ishte sërish titullar në formacionin e Napolit, në fitoren 1-3 në fushën e Kievos, ndërsa Tomas Strakosha ishte ndër më të mirët për Lacion në humbjen 1-0 me Milanin në “San Siro”.

 

Më Shumë