Kombetarja

Veseli dhe Ismajli nuk i tremben Turqisë, duan vendin e dytë në grup

Frederik Veseli dhe Ardian Ismajli ishin dy lojtarët e radhës që kanë dalë në konferencë shtypi, për të folur për ndeshjet me Turqinë dhe Andorrën. Ismajli pritet të jetë titull në qendër, bashkë me Gjimshitin, por edhe Veseli mund ta nisë nga minuta e parë ndeshjen e së premtes, në të majtë. Që të dy lojtarët kanë theksuar në fjalën e tyre se Shqipëria ka shanse reale për t’u kualifikuar, duke zënë vendin e dytë në grup. Që të dy kanë shmangur komentet për Strakoshën e Lenjanin.

I pari foli mbrojtësi i Empolit, Frederik Veseli, i cili theksoi se ekipi është i përqendruar për ta nisur me fitore. "Qëllimi ynë është fitorja, e dimë që ndeshja e parë është shumë e rëndësishme. Shpresojmë dhe besojmë se do ta kalojmë pozitivisht këtë ndeshje. Formacioni? Vij këtu dhe jam i disponueshëm për trajnerin, vendos ai pastaj se kush luan. Rëndësi ka që e ndjej veten shumë mirë, pasi po luaj rregullisht me Empolin dhe kisha dëshirë të luaja. Ndihem më mirë qendërmbrojtës, por nuk ka problem, luaj edhe në krah. Mund ta ndihmoj ekipin edhe në pozicione të tjera, megjithatë më të mirën e jap në qendër të mbrojtjes" tha ai.

Frederik Veseli në aksion

"Kemi bërë disa gabime dhe do të mundohemi t’i korrigjojmë, që të mos mos i përsërisim. Është një ndeshje ndryshe Turqia nga Skocia. Do të studiojmë edhe kundërshtarin me detaje. Jemi shumë të përqendruar, duam të punojmë si grup, të ndihmojmë njëri-tjetrin. Shqipëria ka mundësi të kalojë, asgjë nuk është e pamundur. I kemi mundur Francën dhe Turqinë. Islanda është skuadër e fortë, ka qenë edhe në Botëror, por besoj se e kemi mundësinë për të bërë diçka më shumë me shpirtin e grupit, kemi shanse për t’u kualifikuar. Ka ardhur momenti i rëndësishëm për të bërë diçka të mirë si ekip. Rezultatet nuk kanë qenë të mira, por në lojëra kemi qenë aty", vijoi ai.

Veseli konfirmon se harmonia në grupin e lojtarëve është. "Ne nuk i diskutojmë mungesat e Strakoshës dhe Lenjanit, nuk diskutojmë në grumbullim pse vjen një lojtar dhe pse jo një tjetër. E presim ndeshjen me shumë dëshirë dhe secili nga ne e di se është shumë e rëndësishme. Problemet i lëmë anash, sepse janë gjëra personale. Sulmi i Turqisë është i mirë, i fortë, por jo se është një sulm i jashtëzakonshëm. Turqia duhet të respektohet, por jo ta kemi frikë. Edhe ne kemi sulm të mirë dhe ekip të mirë. Ata nuk kanë Mesin ose Ronaldon, por kanë kualitet dhe ne nuk duhet t’i lëmë ta shprehin kualitetin e tyre në këtë ndeshje”, - u shpreh Veseli.

Ardian Ismajli

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe lojtarit i Hajdukut të Splitit, Ardian Ismajli. Edhe ai besimplotë për një rezultat pozitiv me Turqinë, që sipas tij, nuk është më ajo skuadra e dikurshme dhe nuk duhet marrë me frikë: “Gjatë gjithë karrierës kam pasur vuajtje, janë bërë shumë padrejtësi ndaj meje dhe i jam lutur Zotit të vijë kjo ditë. I falënderoj të gjithë ata që kanë besuar tek unë dhe dua ta justifikoj besimin e tyre. Kemi shumë shanse të kualifikohemi, edhe pse grupi është i fortë. Kemi mundësi të dalim të dytët, edhe Francën e kemi mundur. Deri ditën e ndeshjes nuk dimë asgjë për formacionin, nuk e di askush se kush do të luajë. Jemi të gatshëm dhe ai që luan dublet të japë maksimumin.

Turqia? Në mbrojtje nuk është shumë e fortë, kurse në mesfushë dhe në sulm kanë lojtarë të mirë, por nuk i frikësohemi. Nuk është Turqia që ka qenë më herët. Kam luajtur me Gjimshitin dhe me Mavarajn, për mua nuk ka asnjë dallim. Janë të gjithë njësoj. Trajneri ka marrë më shumë lojtarë mbrojtës, pasi e ka parë të arsyeshme, ndoshta do të bëjë lojë mbrojtëse. Me Andorrën duhen patjetër 3 pikë, nuk diskutohet, me Turqinë do të shohim çfarë do të bëjmë, por besojmë te fitorja" tha Ismajli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë