Ushqim

Verërat në Shqipëri, diamante të fshehura

Vitet e fundit, një numër gjithnjë në rritje i enologëve dhe kultivuesve që mendojnë për të ardhmen kanë përmirësuar potencialin e Shqipërisë për prodhimin e verërave cilësore.

Këtë e konstaton Darrel Joseph, një njohës i mirë i verërave, kritik, gazetar dhe prezantues i cili studion verëra nga e gjithë bota.

Ai thotë se për ta përshkruar më së miri Shqipërinë si një vend prodhues i verës sot, duhet pak ironi.

Historia e verës shqiptare daton të paktën në shekullin e 8-të para Krishtit, kur ilirët e lashtë banonin në gadishullin Ballkanik. Megjithatë, tani, gati 3000 vjet më vonë, “Shqipëria është në një fazë fillestare të zhvillimit të verës moderne, një diamant pothuajse i panjohur për shumicën e botës së verës”, thotë Joseph.

Pse ka ndodhur kjo?

Gjatë atyre viteve kanë ndodhur sfida kolosale, veçanërisht gjatë gjysmës së fundit të shekullit të kaluar, kur Shqipëria ishte një vend komunist dhe personat që merreshin me vreshtari duhej t’ia dorëzonin rrushin e tyre fabrikave shtetërore që prodhonin verëra.

Pasi ra komunizmi dhe kishte një ekonomi të tregut të lirë në fillim të viteve 1990, mijëra vreshta u braktisën ose u shndërruan për përdorime të tjera bujqësore nga pronarët e rinj të tokave të cilët kishin kujtime të hidhura nga regjimi i vjetër.

Megjithatë, që atëherë, një numër gjithnjë e më i madh i enologëve dhe kultivuesve kanë përmirësuar potencialin për prodhimin e verës me cilësi të mirë dhe po e çojnë atë në lartësi mbresëlënëse.

Madje shumë persona janë bërë ekspertë vere duke punuar në kantinat e verës jashtë vendit, si në Itali apo Francë, duke e praktikuar në Shqipëri gjithçka që kanë mësuar.

Gjithashtu shumë kanë punuar edhe me ekspertë të huaj të prodhimit të verës që vizitojnë Shqipërinë.

Në shkrimin e tij të publikuar në “decanter”, revista më e njohur për verërat, Joseph ka renditur edhe disa nga verërat më të mira shqiptare sipas tij.

Këtu janë verërat që ka renditur Joseph:

Verërat Kavaljon dhe Papaz nga Kantina Belba

Verërat Pulsi dhe Serina Premium nga Kantina Nurellari

Vera e bardhë nga Kantina Balaj

Vera Kallmet

Vera Menea nga Korca

Vera e kuqe Malinati


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë